Lëvizja Vetëvendosje është informuar për protestën kundër diskriminimit dhe asimilimit të shqiptarëve në Mal të Zi që do të mbahet këtë të premte me 14 nëntor 2014 në ora 11:00 para Komunës së Ulqinit.
Është e qartë se pozita e shqiptarëve në Mal të Zi nuk ka ndryshuar aspak për të mirë gjatë viteve të fundit. Popullata shqiptare atje vazhdon të shtypet e diskriminohet. Atyre u mohohet e drejta për mundësi të barabarta në punësim e në shkollim, u mohohet e drejta për shkollim në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet e arsimit. Si dhe nuk guxojnë të përdorin lirshëm simbolet kombëtare, e as të mbrojnë trashëgimin e tyre kulturore e kombëtare.
Prandaj, ashtu siç kemi thënë edhe më herët, kur kemi të bëjmë me një sistem të tillë, e drejta për protestë jo vetëm që u takon qytetarëve, por ajo bëhet domosdoshmëri.
Ne solidarizohemi me kërkesat e organizatorëve të protestës të cilat janë:
Duke u bazuar në aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e Malit të Zi, neni 79 Mbrojtja e Identitetit kombëtar, dhe neni 80 që ndalon asimilimin, dhe ligjet ndërkombëtare që garantojnë të drejta të barabarta pa marrë parasysh gjininë, kombësinë, fenë apo ngjyrën kërkojmë respektimin e të drejtave tona themelore për arsimim të denjë si shqiptar, popull autokton në Mal të Zi:
1. Nxënësit shqiptar në Mal të Zi kanë shumë pak për të mos thënë, aspak apo të cunguar njësi mësimore nga identiteti kombëtar i shqiptarëve,
2. Gjuha amtare shqipe edhe pse përdorimi i saj është i garantuar me ligj nuk zbatohet në praktikë nëpër të gjitha dokumentet shkollore, mbledhjet apo aktivitetet tjera në shkollë
3. Politika dhe centralizimi ka lënë jashtë shqiptarët nga procesi, filluar që nga ministria, drejtimi i institucioneve shkollore dhe vendimmarrëse,
4. Shkollat, në veçanti paralelet e ndara në zonat rurale ku mësojnë nxënësit shqiptar janë në gjendje shumë të keqe, dhe nuk plotësojnë kushtet për zhvillimin e mësimit,
5. Tekstet shkollore, në veçanti libri i historisë, është diskriminues dhe ofendues, e po ashtu ai i kulturës muzikore
si dhe e mbështesim këtë protestë të drejtë duke bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi.