Me rastin e njëvjetorit të arritjes së Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Kosova është shtet funksional dhe me kufij të sigurt në tërë territorin e saj.
“Para një viti, në Bruksel, pas një sërë bisedimesh, u arrit një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë, në mes dy kryeministrave të vendeve respektive, në një dialog të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri si dhe nënkryetare e Komisionit Evropian baronesha Ashton, me mbështetje të fuqishme SHBA-ve. Kjo marrëveshje historike ka mbyllur kapitullin e përgjakur ndërmjet dy popujve dhe ka hapur kapitullin e paqes dhe të fqinjësisë së mirë. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kosova është shtet funksional dhe me kufij të sigurt në tërë territorin e saj. Po ashtu, fillimi i zbatimit të Marrëveshjes është një e arritur në vijim dhe është duke dhënë rezultate të prekshme. Mbajtja e zgjedhjeve lokale, të parat me ligjet e Kosovës në tërë territorin, zhbërja e strukturave ilegale të sigurisë dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës janë ndër treguesit e qartë të suksesit të kësaj Marrëveshjeje”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka falënderuar Kuvendin e Kosovës, deputetët dhe të gjitha partitë politike që kanë mbështetur këtë proces, e mbi të gjitha qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe besimin e tyre. “Me këtë Marrëveshje, Kosova ka dëshmuar se mund të merr përgjegjësi historike në përputhje me interesat e qytetarëve të saj dhe në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me shtetet mike që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e saj. Kjo Marrëveshje ka krijuar klimë të mirë politike në rajon, duke hapur perspektivë të sigurt për integrim të Kosovës në institucionet euroatlantike, në NATO dhe BE”, ka thënë Thaçi.