Gjilan – (2LONLINE) – Në Sallën e Vogël të Teatrit të Qytetit në Gjilan, e nën organizimin e Ars Clubit “Beqir Musliu”, asociacion ky që tubon shkrimtarë nga treva të ndryshme shqiptare, filloi Manifestimi letrar, me kohëzgjatje më të madhe në Kosovë, “Vjeshta letrare e Gjilanit”.
Duke i përshëndetur të pranishmit, Sabit Rrustemi, në cilësinë e nikoqirit, tha se po e vazhdojnë aty edhe ku e nisën këtë Manifestim, në vjeshtën e vitit 2010, për ta realizuar misionin që kanë, afirmimin e artit letrar, veprave të reja dhe, emrave të dëshmuar të letërsisë sonë, gjatë një periudhe prej dy muaj e gjysmë ku thuaje “çdo të shtune n’dymbëdhjetë” do t’ i afrojnë publikut nga një takim letrar, qoftë prezantim veprash, grupe letrarësh apo edhe portrete shkrimtarësh, duke mos i harruar dhe përvjetorët e ndryshëm që rastisin me “Vjeshtën letrare të Gjilanit”.
Ne po bëjmë fushatë për librin dhe vlerat letrare, në të njëjtën kohë kur në Kosovë po zhvillohet një fushatë politike për ta fituar pushtetin lokal, ndërsa ne, për ta ruajtur dhe rikthyer lexuesin kah libri dhe kah ajo që realisht quhet vlerë letrare, tha. Rrustemi, duke potencuar se, jemi të vetëdijshëm se nuk e kemi lehtë, na mungon kësaj here dhe mbështetja financiare po, jo edhe vullneti për ta përmbushur misionin që kemi dhe, për ta nderuar një emër të madh shkrimtari, të cilin e kemi jo vetëm emblemë të klubit tonë, jo vetëm emblemë të qytetit po, edhe emblemë të letërsisë moderne shqiptare, emrin e Beqir Musliut.
Me një fjalë rasti, më pas, u paraqit prof dr. Faik Shkodra, një studiues i spikatur i letërsisë, i cili tha se, vërtetë është sfidë e madhe të organizosh në këtë kohë një manifestim të tillë letrar, me një shtrirje të gjerë, nëpër midise të ndryshme kosovare, duke tubuar emra nga treva të ndryshme po, edhe vepra që i bëjnë nder letërsisë sonë. Por, duke e njohur veprimtarinë e deritashme të Ars Clubit “Beqir Musliu”, i cili tashmë ka krijuar identitetin e vet kulturor, besojmë shumë se, edhe në këtë edicion të katërt me radhë, do na sjellin vlera të mirëfillta letrare, qoftë ato që i kanë krijuar dhe botuar vetë, po, edhe vlerrat tjera që kanë krijuar tjerët e me të cilat do njihemi gjatë kësaj periudhe.
Më pas, poeti dhe kritiku letrar, Arsim Halili, përmes një vështrimi letrar, paraqiti në vija të përgjithshme veprat e botuara gjatë vitit 2013, gjithsejtë 9 vepra, të cilat nën përgatitjen dhe përkujdesjen e anëtarëve të Ars Clubit, u botuan nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”.
Arsim Halili, i njohu artdashësit shkurtimisht me secilën vepër, duke filluar nga ajo me studime e Sinan Sadikut “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”, e deri te vepra më e re, botuar këto ditë, “Zgjoje ëndrrën” me autore, Myrvete Osmanin, nga Vushtrria.
Janë botuar, potencoi Halili, vepra nga fusha e kritikës letrare, një roman, ai i Kadire Pirës, “Të Gënjyerit” si dhe katër vëllime poetike, të cilave ju bashkohen edhe do botime ekskluzive, me autorë të ndryshëm, “Trekëndëshi poetik i paqes ” dhe, “Mos e lësho sharkinë prej dore”, kjo e fundit, një buqetë e përbashkët poetike, kushtuar poetit dhe rapsodit Agim Gashi, i cili me vite po përballet me një sëmundje të rëndë, në Duren të Gjermanisë.
Arsim Halili, potencoi në fund se, asnjë libër nuk është botuar pa u vlerësuar paraprakisht nga recensentët si dhe redaktori përkatës se, a i plotëson kriteret e botimit. E, kjo dëshmohet edhe me çmimet që i kanë fituar librat tanë të botuar në këto dy vite, ku, dy prej tyre, në nivel Kosove janë vlerësuar me vende të para, ndërsa një tjetër, nga një asociacion shkrimtarësh shqiptarë në Gjermani, me vendin e dytë.
Përndryshe, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, edicioni i katërt, hapja e të cilit u sponsorizua nga restaurant – bar MBRETI (Lladovë), rrugëtimin e nisur me 12 tetor, do e vazhdojë deri me 21 dhjetor 2013, kur edhe përmbyllet, me një agjendë mjaft të ngjeshur. Gati çdo të shtune do ta ketë nga një veprimtari letrare, qoftë në Gjilan apo edhe në midise tjera të Kosovës. /2lonline/