Lypsarët e votave (Parodi )
Nga Demir Krasniqi
– Një muaj ditë, sa zgjatë fushata
Po na mbetet n’ fyt kafshata!
Nuk na lanë lypsarët rehat
Kërkojnë vota ditë e natë !
-Aman, vëllezër, bëni rahmet,
Votën tuaj, n’ kuti ma qet!
Jam i sëmurë e jam n’ siklet –
S’ kam shërim, pa hipë n’ pushtet!
-Sëmundja ime, është kronike –
S’ ka ilaç, pa hipë n’ karrige!
Seç jam tharë e seç jam shterë –
Jam sëmurë rëndë për karrierë!
-Trupi im, s’ bëhet rehat,
Nuk mund t’ bëjë as gjumë në shtrat!
M’ është ngarkuar koka bagazhe –
Ditë e natë shkruaj mesazhe!…
Telefonat veç cingërojnë –
Nga çdo anë, vota kërkojnë:
“Kush m’ voton për Kryetar –
E çoftë Zoti, n’ rrugë të mbarë!
-Kush për mua, n’ kuti votoftë –
Jarabbi, Zoti i ndihmoftë !
-Kush për mua, votën e qet –
E qoftë Zoti, në xhenet!”…
Dal me shokë me e pi ndo‘i gotë –
Shumë lypsarë më kërkojnë votë:
“Aman, vëlla, n’ daç me pa dritë –
Votën, mua me ma qitë!”
Në lokale e n’ trotuare –
Mbushë lypsarë edhe lypsare !
Disa lypin para për bukë ,
Disa, vota për kolltukë !…