/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në seancën e sotme të Kuvendit Komunal, ka paraqitur para asambleistëve raportin gjashtë mujor të punës për periudhën janar-qershor 2016. Po e paraqesim të plotë fjalën e kryetarit Haziri:
“Kam nderin dhe kënaqësinë që sot të paraqes para juve Raportin Gjashtë-Mujor të Punës për periudhën Janar-Qershor 2016. Tani në vitin e tretë të qeverisjes sonë të mirëfilltë dhe efektive, Gjilani është kthyer veçse në një qytet meritor për qytetaret e vet. Mirëpo, sukseset tona të deritanishme nuk kanë qenë pa sfida dhe pa barriera. Besoj se suksesi ynë më I madh I përbashkët ka qenë tejkalimi I këtyre sfidave e barrierave në favor të qytetarit Gjilanas. Me bashkëpunim të ndërsjellët, me mirëkuptim, dhe punë të palodhur ne kemi arritë që në këtë gjashtëmujor të pare të vitit 2016 të realizojmë me sukses një sërë projektesh e aktivitetesh të rëndësisë së veçantë për Komunën tone.
Raporti që po e prezantojmë sot përfshinë detaje nga këto të arritura dhe suksese të qeverisjes sonë. Andaj, në vijim, unë do të përmend vetëm disa nga pikat kyçe të punës sonë në gjashtë muajt e kaluar.
Në aspektin e ofrimit të shërbimeve administrative për qytetarët, Komuna e Gjilanit është bërë kampion i efikasitetit në Kosovë dhe shembull në rajon përmes funksionalizimit dhe përdorimit të E-Kioskave, si dhe përgatitjeve për realizimin e projektit madhor modernizues për administratën tone publike locale, ―Gjilani Smart City.‖ Në linjë me qëllimet dhe premtimet tona, ne kemi ulur ne vazhdimësi shpenzimet komunale – psh. shpenzimet për derivate janë ulur në krahasim me vitin paraprak, kurse të hyrat nga administrata e përgjithshme janë rritur për mese 23% në krahasim me gjysmë vjetorin e pare të vitit 2015.
Në sektorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale kemi vazhduar me investime kapitale. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, kemi nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për ndërtimin e objektit te ri e modern të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare; gjersa në bashkëpunim me UNICEF-in dhe organizata tjera ndërkombëtare kemi vazhduar me ofrimin e vizitave mjekësore nëpër shtëpi për të gjitha ato familje që nuk e kanë të lehtë qasjen në mjekësinë familjare që ofrohen këtu. Edhe në aspektin humanitar, Gjilani vazhdon të jetë shembull i bamirësisë. Kemi përfunduar më se 30 shtëpi për nevojtarë, dhe kemi subvencionuar në vazhdimësi një numër të konsiderueshëm të nevojtarëve për barëra e përkujdesje mjekësore, si dhe kemi vazhduar me përkrahje të pa rezervë, por brenda mundësive tona, për shoqatat e ndryshme humanitare që ofrojnë përkujdesje për qytetaret tanë me nevoja të veçanta.
Përveç përkujdesjes për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë, ne kemi shënuar suksese edhe në fushën e arsimit fillor dhe të mesëm që menaxhohet nga Komuna. Ne bashkëpunim me GIZ-in, kemi arritur t‘i certifikojmë më se 400 mësimdhënës gjilanas të klasave 1-9 në fushën testimeve dhe të matematikës. Ndërkohë, nxënësit tanë kanë shkëlqyer nëpër gara rajonale, republikane, e ndërkombëtare duke sjellë një numër të konsiderueshëm të medaljeve, mirënjohjeve, e çmimeve kryesore në Gjilan. Përkundër pamundësive financiare, ne kemi investuar në disa nga këta talentë të rinjë duke iu ndarë bursa akademike për shkollim të mëtutjeshëm në universitetet dhe kolegjet tona. Tutje, Gjilani ka pasë fatin dhe nderin që këtë vit të jetë nikoqir edhe I Festës së Abetarës, ngjarje kjo që është realizuar me sukses të plotë. Edhe ne aspakëtin infrastrukturor, arsimi në Gjilan vazhdon të jetë prioritet—përmes ndërtimit të shkollave të reja, si p.sh. përurimi I Shkollës ―Bajram Curri‖ më 20 Maj; renovimet në shkolla tjera, ndërtimet e çerdheve të reja në Lagjen Dardania dhe Arbëria, etj.
Përveç infrastrukturës arsimore e shëndetësore, Gjilani ka bërë investime të vrullshme edhe në infrastrukturën rrugore, të ujësjellësit, kanalizimit, dhe planifikimit urban. Janë proceduar me sukses planet urbane për Lagjet Zabeli 1, Qendra 4, dhe Fidanishtja 2. Ndërkohë, që janë shtruar ose janë në shtrim e sipër shumica e rrugëve nëpër pjesët rurale të Komunës, nëpër fshatra – p.sh. në Fshatin Dobërqan, Cërrnicë, Përlepnicë, Shillove, thuajse janë asfaltuar krejtësisht të gjitha rrugët e fshatit, e ngjashëm është vepruar e po veprohet edhe nëpër të gjitha fshatrat tjera. Edhe nëpër qytet kemi riparuar, rishtruar shumicën e rrugëve dhe trotuareve, gjerësa po vazhdojmë me intensitet të shtuar edhe ndërtimi i rrugëve me katër korsi në hyrje të Gjilanit nga lindja.
Falë punës serioze të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Infrastrukturës, dhe Banimit, si dhe Drejtorisë së Planifikimit, Urbanizmit dhe Mjedisit, përveç investimeve kapitale të cekura më lartë, janë bërë përgatitjet e duhura dhe janë në proces të finalizimit edhe kontratat për sanimit e ndriçimit publik të qytetit, sinjalizimit vertikal e horizontal, si dhe mirëmbajtjes së rrugëve.
Edhe për bujqit dhe fermerët, Gjilani ka dhënë dhe po jep maksimumin e përkrahjes – qoftë përmes subvencioneve vetanake nga buxheti komunal, qoftë përmes bashkëpunimeve të shumta me organizata ndërkombëtare dhe me organet tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës – duke iu dhuruar pajisje e makineri bujqësore. Përveç përkrahjes së kulturave tanimë tradicionale në Gjilan, si dhe mjedrës kohëve të fundit, ne po angazhohemi që ta kthejmë edhe kulturën e kultivimit të duhanit në Gjilan, dhe në këtë gjashtëmujor kemi punuar edhe me komisionin përkatës të Kuvendit të Kosovës si dhe Ministritë e linjës që ta çojmë përpara këtë projekt madhor jo vetëm për Gjilanin por për gjithë Anamoraven dhe Kosovën.
Përkundër disa fatkeqësive natyrore që kanë goditur komunën tone, veçanërisht reshjet e mëdha të shiut dhe vërshimet si pasojë e tyre, ne kemi bërë përpjekje maksimale që të minimizojmë këto pasoja dhe të ndërmarrim hapat e duhur për të bërë gjithçka që është e mundur për parandalimin e tyre në të ardhmen. Vërshimet më të ndjeshme ishin ato të Janarit dhe Marsit 2016, por pas angazhimit të Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit si dhe Drejtorive tjera përkatëse, kemi arritë t‘i sanojmë pasojat dhe jemi në proces të gjetjes së zgjidhjeve më afatgjate – në bashkëpunim edhe me Ambasadën Zvicerane dhe Rregullatorin e Ujërave të Kosovës.
Falë gjithë këtij angazhimi të përbashkët, Gjilani po vazhdon të atraktojë biznese te reja. Sipas të dhënave të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, ky gjashtëmujor shënon një ngritje të konsiderueshme të numrit të regjistrimit të bizneseve dhe vendeve të punës në krahasim me gjashtëmujorin e vitit paraprak. Deri më tani, gjatë këtij viti, në Gjilan janë regjistruar mese 260 biznese të reja duke sjellë mbi 440 vende pune. Në aspekt, përmes bashkëpunimit me KfË (Bankes Gjermane), Ministrisë së Financave, Komuna e Gjilanit ka përfituar edhe mbi 1 milion euro nga projekti i eficiences së energjisë. Përveç këtij projekti, Komuna jonë ka përfituar edhe nga programi BE-EURED për zhvillimin e agrobiznesit, si dhe nga projekti BE-se për bashkëpunim ndërkufitar, ku p.sh. mbi 28 biznese te vogla kanë përfituar grante nga rreth 2,000 euro secili.
Gjatë këtij gjashtë-mujori, ne kemi arritur të rrisim edhe inkasimin e tatimit në prone, që sipas raportit të Drejtorisë për Buxhet e Financa, ka shënuar rritje prej 32% në krahasim me gjashtëmujorin e vitit paraprak. Edhe në sektorin e lejeve të ndërimit, të hyrat janë rritur në 194%. Mirëpo, kjo rritje e efikasitet të punës në këto dikastere, është përcjellë edhe me faljen e borxheve sipas Ligjit për Faljen e Borxheve Publike, ku në këtë periudhë raportuese janë falur mbi 39,000 euro, dhe rritjen e efikasitetit të shpronësimit, proces ky që ka mundësuar përdorimin e mbi 10,000 m2 tokë për nevoja të rrugëve, shkollave, çerdheve, etj. Pagesat nga këto shpronësime kapin vlerën e rreth 260,000 eurove.
Gjilani ka shënuar suksese edhe në sferën e kulturës, rinisë, dhe sportit në këtë gjashtëmujor. Ne kemi qenë nikoqir të Panairit të Sportit në bashkëpunim me Komitetin Olipmik të Kosovës, si dhe kemi realizuar me sukses edhe manifestimin tradicional, të 25-in me radhë, të Flakës së Janarit, duke e kthyer Gjilanin në një kryeqendër të kulturës e artit tone kombëtar. Po ashtu, në linjë me këto aktivitete dhe për të rritur mundësinë e organizimit dhe veprimtarisë për rininë, ne kemi promovuar edhe objektin e ri të Qendrës Rinore të Gjilanit.
Për shkak të pozitës gjeografike dhe lidhjeve natyrale e familjare me shqiptarët ne Luginën e Preshevës, ne jemi të lumtur edhe me punën dhe angazhimin e Zyrës për Preshevë, Bujanoc Medvegjë pranë
Komunës sonë. Kjo zyrë po vazhdon të kryej misionin e vet dhe të ofrojë shërbimet e veta për qytetarët e Luginës që jetojnë në Komunën tone.
Ne vazhdojmë të jemi lider në aspektin e bashkëpunimit komunal me organizata dhe investitor të huaj – duke qenë partner dhe nikoqir i shumë projekteve investuese dhe granteve përkrahëse nga USAID, BE, KfË, UNDP, si dhe Ambasadat e Qeveritë e vendeve mike si Austria, SHBA, Gjermania, Turqia, Zvicra, etj. Falë solidaritetit dhe përkrahjes edhe të mërgimtarëve tanë, Gjilani po vazhdon të atraktojë edhe investitorë potencialë private që po vijnë për të pare mundësitë e investimeve dhe kushtet e të bërit biznes në komunën tone.
Përveç këtyre që u thane më lartë, ky Raport Gjashtë-Mujor përfshinë edhe aktivitetet kyçe të zyrave dhe njësive tjera pranë Zyrës së Kryetarit, si dhe elaborime më të detajshme të punëve të secilës drejtori. Për të mos ju lodhur më shumë, unë ndava me ju vetëm disa nga pikat kyce të punës së të përbashkët, duke ju lënë mundësinë që Raportin në fjalë ta lexoni e ta shqyrtoni sipas nevojave tuaja.
Ajo që dua ta nënvizoj me këtë rast është se ne kemi vendosur barazi në investime, në qytet dhe fshatra dhe mendoj që kjo është shumë e rëndësishme.
Si gjithherë, ju falënderoj të gjithëve për punën, angazhimin, dhe kontributin tuaj në të mire të Komunës sonë dhe qytetarëve tanë. Për çfarëdo pyetje shtesë që mund të keni, ju lutem t‘i adresoni ato tek ne dhe drejtoritë përkatëse për përgjigje ose shpjegime shtesë”, ka përfunduar kryetari Haziri. /2L ONLINE/