(2L ONLINE) -“Se Lidhja Demokratike e Kosovës është më e fortë se kurrë e tregon fakti se sot tri salla të tubimeve të ndryshme janë mbushur përplot”.
Kështu ka thënë sot kryetari i degës së LDK-së në Gjilan Lutfi Haziri, në tubimin e Forumit të Rinisë së LDK-së në Gjilan, ku aderuan mbi 200 të rinj e të reja.
Në këtë tubim ishte i pranishëm edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, njëherësh kandidat për kryeministër të vendit, si dhe bashkëpunëtorë nga kryesia qendrore dhe ajo e degës, kryetarja e FG të LDK-së Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryetarja e FR të LDK-së në Gjilan, Rina Ahmeti, aktivistë e mbështetës të frymës rugoviane.
“Sot një lider me kaq shumë ngarkesë ka kaluar më shumë se 6 orë në Gjilan, dhe janë mbushur tri herë sallat. Kjo tregon se qytetarët tanë janë rreshtuar fuqishëm në radhët e gjata të ushtarëve të Ibrahim Rugovës.Forumi i Rinisë dhe ai i Gruas kanë qenë shtylla kryesore e fitores në zgjedhjet komunale dhe kjo po dëshmohet edhe sot me këtë tubim madhështor. Duhet të gjithë së bashku të punojmë, të mos ia falim asnjë sekond kësaj qeverie që ka abuzuar. Qytetarët do t’i tregojnë më 8 qershor se nuk i durojnë ata që keqqeverisën”, ka thënë kryetari Haziri.
Haziri tha se kryeministri ynë Isa Mustafa më 8 qershor do të udhëheq Kosovën në mënyrë të dinjitetshme dhe pas asaj date, Kosova do të frymojë lirshëm, për të shtuar se me fitoren e LDK-së, do të hiqet fotografia e keqe e Kosovës
Në fjalën e tij para të rinjve gjilanas, kryetari i LDK-së Isa Mustafa tha se LDK nuk do të ishte kjo që është pa të rinjtë, pa një mendje të tillë, pa një elan të tillë.
“Me ju LDK bëhet me e mençur dhe më e bukur. LDK është forca më demokratike, e cila ka kultivuar marrëdhëniet më të mira të brendshme, kulturën demokratike dhe dëshiron që nesër të kultivojë këtë demokraci të cenuar nga të tjerët. Me 8 qershor përfundimisht do t’i heqim ata që keqpërdorën dhe abuzuan me paranë publike. PDK e ka ngulfatë shtetin, e ka politizuar arsimin, ekonominë, shëndetësinë. Neve na nevojitet mobilizim i madh në mënyrë që më 8 qershor ta çrrënjosim të keqen e krijuar nga qeverisja në largim”, tha Mustafa.
Vota për LDK-në është votë për progres dhe për të ardhmen, tha tutje Isa Mustafa.
Një fjalë rasti pati edhe kryetarja e Forumit të Rinisë së LDK-së në Gjilan, Rina Ahmeti, e cila është shprehur se me aderimet e sotme të të rinjëve dhe të rejave, po tregohet qartë se qytetarët po e mbështesin më shumë se kurrë LDK-në me në krye akademik Isa Mustafa.
Ajo tha se rinia është e vetëdijshme më shumë se asnjëherë më parë, se ka ardhur koha t’i japim fund kësaj keqqeverisje bashkë me gënjeshtrat dhe premtimet e tyre të kota.
Në fund, janë prezantuar edhe pesë kandidatët për deputet të LDK-së nga Gjilani: Lirije Kajtazi, Naim Behluli, Murat Hoxha, Sabit Rrustemi e Fatmir Rexhepi. (2L ONLINE)