Partia Republikane e Kosovës, ka mbajtur tubim për ta rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen e madhe të LDK-së dhe kandidatëve për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së në Gjilan.
Në këtë tubim, ishte i pranishëm kryetari i LDK-së në Gjilan z.Lutfi Haziri, kryetarja e Forumit te Gruas të LDK-së znj.Valentina Bunjaku-Rexhepi, profesor Gani Krasniqi nga VATRA si dhe kandidatët për deputet nga radhët e LDK-së nga Gjilan.
Selver Xhelili, kryetar i Republikanëve në Gjilan dhe nënkryetar i Republikanëve në nivel vendi, tha se edhe njëher rikonfirmojmë mbështetjen e fuqishme për LDK-në dhe kandidatët e saj të nominuar për deputet nga Gjilani.
“Ne si parti fillestare besoj se do të fuqizohemi edhe më shumë dhe ajo që na ka shtyrë në përkrahje dhe mbështetje të LDK-së, është se ne kemi program të ngjashëm me LDK-në dhe se LDK është e vetmja shpresë për Kosovën. Ne do t’i mbështesim të gjithë kandidatët e LDK-së që garojnë për deputet nga Gjilani”, tha Xhelili.
Ndërsa kryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në fjalën e tij, falënderoi republikanët dhe përfaqësuesit e Lëvizjes VATRA për mbështetje e madhe që po ofrojnë për platformën e LDK-së për zhvillim ekonomik e punësim të qytetarëve.
“Ju falënderoj shumë të gjithëve që jeni bashkuar sot, për një interes të përbashkët, me ndihmu Anamoravën dhe me ndihmu gjithë Kosovën. Nuk ka anëtarë të vjetër e të rinjë në LDK. Të gjithë jemi të barabartë. Ky bashkim i sotshëm tregon se ka ardhur koha me e largu këtë keq qeverisje, e cila për 7 vjet, e anashkaloi Gjilanin e Anamoravën”, tha para qindra të pranishmëve z.Haziri.
Edhe nga ky tubim, Haziri pati selame për jabanxhinjtë, të cilët pa fije turpi po mundohen ta mashtrojnë qytetarin ne emër të fesë.
“Sot këtu në këtë tubim, kemi përfaqësues edhe nga Partia e Drejtësisë, të cilët më janë lutur që publikisht të them se janë votues të LDK-së, sepse nuk i besojnë listës të cilës i është bashkuar Ferid Agani. Ferid Agani nuk mund t’ia mbuloj ftyrën kryeministrit në ikje. Gjilani është rast precedent, i cili, ka lejuar vijimin e mësimit të nxënësve me mbulesë nëpër shkolla, ka dhënë të drejtën të punojnë nëpër institucione, e iu ka besuar të udheheqin në pozita të larta vendimmarrëse. Ka ardhur koha e reagimit qytetarë, që Gjilanin ta kthejmë aty ku e ka vendin. Anamorava do investim, do autostradën, do që të shpërblehet mundi i gurbetqinjëve”, tha Haziri.
Në këtë tubim, Iliri Rashiti kryetar i Forumit Rinor PDK-së nga nëndega II, Lagjja “Kodra e Dëshmorëve” me strukturat e kësaj nëndege sot aderoi në LDK.
“LDK është e vetmja parti, e cila, jep mundësi për të rinjtë. Unë sot me një pjesë të kryesisë së nëndegës II, aderojmë në LDK dhe i ftojmë të gjithë të rinjtë që t’i bashkohen partisë më të madhe në vend sepse kjo është e vetmja shpresë për të rinjtë” tha Ilir Rashiti.
Profesor Gani Krasniqi, përfaqësues nga Lëvizja VATRA, tha se në emër të qytetarëve nga Lugina dhe një pjese të Kryesisë së VATRËS, ju ofroj mbështetje të pa rezervë në këto zgjedhje parlamentare.
“Ne si Luginë e shohim të domosdoshme mbështetjen e kandidatëve të LDK-së nga Gjilani për deputet, sepse jemi të bindur se do të jeni zëri i fuqishëm dhe do t’i mbroni interesat e qytetarëve edhe të Luginës që jetojnë e veprojnë në Gjilan”, tha Krasniqi.
Ndërsa Arben Maliqi, tani më këshilltar komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se jo rastësisht ka aderuar në LDK, për të dhënë një mesazh të qartë se Dega e LDK-së në Gjilan, së bashku me të gjithë aderuesit e saj, sikurse fitoi bindshëm në zgjedhjet lokale në krye me zotëri Lutfi Haziri, do të fitoj pa dyshim edhe në zgjedhjet nacionale.
/E sponsorizuar/