Korrupsioni si dukuri negative, duhet të luftohet me vendosmëri, ndërsa e kemi obligim ligjor dhe moral që Kosovën ta bëjmë vend me prosperitet në fushën e rendit dhe sundimit të ligjit. Kështu deklaroi presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në takimin e gjashtë të Këshillit Kombëtarë kundër Korrupsionit. Presidentja tha se korrupsioni duhet të luftohet nga të gjithë.
Në takimin e gjashtë të Këshillit Kombëtarë Kundër Korrupsionit, u tha se korrupsioni është bërë transnacional por në vendin tonë, kjo dukuri po luftohet me mekanizma ligjorë. Përmirësimi i imazhit të Kosovës ndihmon në ecjen përpara sepse kështu garantohet progresi ekonomik dhe mirëqenia sociale, u shpreh Presidentja Atifete Jahjaga, transmeton RTK.
Ndërkaq luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet ndër prioritetet më të larta të Qeverisë së Kosovës dhe njëri ndër parakushtet për inkuadrim në Bashkimin Evropian u shpreh zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai informoi presidenten lidhur me pakon e ligjeve të miratuara për ta luftuar korrupsionin.