(2LONLINE) – Një iniciativë të cilën shumë kush e cilëson si të qëlluar dhe që shumë kush e ka diskutuar edhe më parë, por nuk kanë ndërmarrë asgjë, është filluar si peticion nga Qendra e Aktivizimit të Rinisë (Youth Activism Center – YAC).
Bëhet fjalë për largimin 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme të lojërave të fatit si: kazinot, bastoret, lotaritë e lojërat të tjera të fatit.
Qysh moti shumë kush i ka cilësuar se këto lloj biznese nuk duhen ta kenë vendin afër shkollave dhe poashtu kanë diskutuar mes vete, por nuk kanë ndërmarrë më parë një veprim të tillë.
Mejdi Sadiku, zv. drejtor i YAC-së, thotë se vendndodhja e këtyre bizneseve të lojërave të fatit ndikon në mënyrë direkte dhe indirekte në procesin mësimorë të nxënësve. Shumë nxënës nuk i mbajnë orët mësimore duke luajtur nëpër këto lojëra të fatit.
Arsye tjetër sipas zyrtarëve të YAC-së është edhe varfërimi i xhepit të qytetarëve gjilanas.
“Duke ditë që gjendja financiare e familjeve gjilanase është jo e kënaqshme dhe jo e mirë, andaj shumë qytetarë, e posaqërisht të rinj kryesisht të mitur, provojnë fatin e tyre nëpër lojërat e fatit, pa marrë parasysh se nuk kanë të drejtë të luajnë pa mbushur moshën 18 vjeçare. Vendndoshja e këtyre lokaleve afër shkollës i jep një arsye më tëpër këtyre të miturve që të luajnë këto lloj lojërash”, tha Sadiku.
“Ne si organizatë rinore e kemi filluar këtë peticion, por largimi i tyre në distancë 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme varet nga nënshkrimet e qytetarëve. Na nevojiten 500 nënshkrime për ta arritur qëllimin. Ky nuk është qëllimi jonë, ky është qëllimi i qytetarëve”, përfundoi Sadiku./2lonline/