(2LONLINE) – Lëvizja për Integrim dhe Zhvillim (LIZ), e Gjilanit, e cila ditë më parë u rreshtua përkrah LDK-së, për të mbështetur kandidatin e këtij subjekti Lutfi Haziri, për garën e balotazhit për kryetar komune, ka mbajtur takimin e bordit për t’u përgatitur për këtë garë.
Arianit Sllamniku, kryetar i LIZ-it, subjekt që ky më 3 nëntor kishte garuar vetën në garë për këshilltar komunal, ka thënë se janë takuar anëtarët e Bordit të LIZ-it, i cili bord gjatë tërë fushatës ka pasur edhe përgjegjësitë e mbarëvajtjes së aktivitetit politik, në cilësi të shtabit për këto zgjedhje komunale, dhe se edhe tani është e gatshme për garën e balotazhit të datës 1 dhjetor.
Sllamniku tha se anëtarët e shtabit vlerësuan gjendjen aktuale, por edhe të zgjedhjeve për balotazh ku do të ballafaqohen Haziri i LDK-së e Mustafa i PDK-së, me këtë rast u koordinuan aktivitetet për këto ditë të mbetura, për të kërkuar mbështetjen për Hazirin e LDK-së.
“Shfrytëzojmë këtë rast që të ftojmë në daljen sa më masive të qytetarëve në votime si dhe syçelësi të gjithë stafit me qëllim të ruajtjes dhe numërimit real të votës, duke e pasur parasysh që janë në pyetje katër vite mandat i qeverisjes me Gjilanin”, ka thënë Sllamniku, duke ftuar të gjithë ata që i besuan LIZ-it, duke e votuar më 3 nëntor, që këtë besim ta orientojnë tani kah kandidati i LDK-së për kryetar komune Lutfi Haziri.
/2lonline/