/2L ONLINE/ – Kryetari i Bashkësisë Lokale të Karaçevës, Selver Lenjani, ka sulmuar anëtarët e Kuvendit të Kamenicës, duke i quajtur profiterë dhe të padijshëm. Në anën tjetër asambleisti i PDK-së, Isuf Beqiri. I ka cilësuar sulmet si të padrejta dhe në adresë të gabuar. Beqiri i ka vënë Lenjanit epitetin e të dalldisurit, derisa ka thënë se e ka humb besimin e banorëve të Karaçevës dhe i ka shkëputur raportet me institucionet komunale.
“Asnjëherë gjatë këtij mandati, anëtarët e Kuvendit të Kamenicës, të cilët kanë marrë besimin e qytetarëve për t’i mbrojtur dhe përfaqësuar në Asamble, nuk e kanë ngritur problemin e brezit kufitar. Ky është një Kuvend i interesave personale dhe asgjë më shumë”, ka thënë Lenjani në një prononcim për Kamenica Press.
Ai ka shtuar se në asamblenë e Kamenicës, nuk mbrohet interesi i qytetarëve.
“Edhe përkundër shumë kërkesave të mia, asnjëherë ky Kuvend nuk e ka pasur kurajon ta ngritë problemin e cenimit të territorit të Kosovës, së paku të diskutojë”, është shprehur ai.
Pas deklaratës akuzave të Selver Lenjanit në adresë të Kuvendit të Kamenicës, ka reaguar asambleisti i PDK-së, Isuf Beqiri.
“Kuvendi i Komunës së Kamenicës udhëhiqet dhe funksionon konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës konkretisht kapitullit -X- dhe ligjit për vetëqeverisje lokale kapitullit -VI-, që përcakton të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të Kuvendit të Komunës si dhe funksionimin e Kuvendit të Komunës. Akuzat e pa drejta janë të drejtuara në adresë të gabuar, sepse nuk është kompetencë e Kuvendit të Komunës të merret me problemin e brezit kufitar. Kjo është çështje ndërshtetërore dhe jo ndërkomunale”, ka thënë Beqiri për Kamenica Press.
Sipas tij, asnjëherë në historinë e tij, Kuvendi i Komunës nuk ka qenë më i përgatitur se në këtë mandat, ku të gjithë anëtarët janë të kualifikuar me diploma universitare.
“A janë të dijshëm apo të pa dijshëm, qytetarët i kanë vlerësuar dhe zgjedhur. Ky person, i cili ka humb besimin e banorëve të atij lokaliteti, nuk bashkëpunon me Komunën është dalldisur dhe nuk din çka flet”, ka deklaruar Isuf Beqiri. /2L ONLINE/