(2L ONLINE) – Zyrtarë për informim të LDK-së së Gjilanit thanë se si në zgjedhjet lokale, po vazhdojnë tubimet madhështore në mbështetje të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Gjilan. Ka qenë lagja “Arbëria” dhe Zabeli i Sahitagës” që i kanë bërë konak kryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri dhe pesë kandidatëve për deputet nga Gjilani.
“A ka ma marre se me qenë i “Zabelit” e “Arbërisë” edhe me qenë me PDK!”. Me këtë fjali ka nisur tubimi kryetari i LDK-së, Lutfi Haziri për të vazhduar tutje duke thënë se qytetarët e këtyre dy lagjeve kanë qenë faktorët kryesor në largimin e jabanxhinjve nga Gjilani dhe këtë do ta bëjnë për t’i hequr jabanxhinjtë edhe nga Prishtina më 8 qershor.
“Jo rastësisht, sot po e fillojmë betejën politike prej “Zabelit” dhe “Arbërisë”. Këto dy lagje po e fillojnë betejën e madhe për ta larguar jabanxhinë edhe nga Prishtina, sepse prej 2 dhjetorit me në Gjilan nuk po vjen, shkaku se nuk e ka besimin tuaj. Do ta ecim këtë rrugë bashkë deri më 8 qershor, për të fituar bindshëm karshi jabanjxhinjve. Mesazhi ynë i madh për ta fituar Kosovën duhet të shkojë deri në fund. Me besim të madh në Zot dhe në ju ka me u largu ai poushtet që e ngulfati Kosovën, sikurse që e pat ngulfatur Gjilanin për gjashtë vite”, ka thënë Haziri.
Ai tha se për hirë të rugovizmit, nuk duhet t’i lejojnë ata që të vazhdojnë me keq qeverisje, ndërsa tha se fitoren e radhës së LDK do të festojmë sërish para teatrit nën qeverisjen e kryeministrit akademik Isa Musatafa.
Më pas vijnë edhe mesazhet e pesë kandidatëve për deputet nga dega e LDK-së në Gjilan: Lirije Kajtazi, Naim Behluli, Murat Hoxha, Sabot Rrustemi dhe Fatmir Rexhepi.
“Po e nisim një betejë të madhe për ta fituar Kosovës, për ta kthyer mirëqenien te qytetarët dhe buzëqeshjen te qytetarët. Ndryshimin e madh e keni bërë ju me votë në zgjedhjet e kaluara komunale. Dua t’ju them se madhështia e Rugovës dhe juaja si qytetarë, bënë që t’i jap vendit kuptim. Me 8 qershor do t’i japim fund mafias e hajnisë”, tha ndër të tjera Lirije Kajtazi.
“Pas fitores në zgjedhjet komunale, jemi në rrugëtim tjetër për ta rrëzuar këtë qeveri denigruese, e cila e ka anshkaluar në cdo aspekt regjionin e Anamoravës. Vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës do t’ua kthej shpresën dhe me votimin tuaj për kandidatët do të vijnë ditë të mira për të gjithë”, ka thënë nga ana e tij kandidati Murat Hoxha.
“Zgjedhjet e sivjetshme janë rasti më i mirë i shënimit të kësaj historie të re. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Eja shpejt, por mos u ngut”. Ne jemi ata, ne jemi durimtarët. Kryetari Haziri e ka bërë hapin e madh duke e fituar Gjilanin dhe tash është koha që të finalizohet kjo fitore e plotkuptimtë në tërë Kosovën. Gjilani do të përfitoj më shumë projekte kapitale me ardhjen e LDK në pushtet. Ju duhet ta votoni me besim LDK-në dhe ne do t’ua kthejmë me punë dhe ndershmëri. Do të jemi llogaridhënës dhe të përgjegjshëm”, tha kandidati Naim Behluli.
“Kur “Zabeli” dhe “Arbëria” kanë qenë madhështore, atëherë kurrë nuk kanë munguar sukseset e LDK-së. Duke e votuar LDK-në, nuk jeni zhgënjyer asnjëherë në këto 24 vite. Me Gjilanin, Kosova do të fitohet më lehtë dhe në këtë mënyrë do ta përparojmë komunën tonë duke ia rikthyer kujdesin”, ka thënë Sabit Rrustemi.
“Jam tepër i kënaqur që edhe njëherë mora rastin që bashkë me kolegët e tjerët të hyjmë në një garë për të fituar demokracia në Kosovë. Beteja për Gjilanin më 2009 u vodh nga pelivanët. Por ishit ju dhe gjithë anëtarësia që i përzut nga psuhteti ata pelivanë dhe me një angazhim brilant të Lutës sot e keni kryetar Komune. Me modelin e njejtë, qysh i keni përzënë vitin e kalar ata që qeverisën keq, do ta përzëmë edhe këtë qeveri qendrore më 8 qershor”, është shprehur Fatmir Rexhepi. /2L ONLINE/