Kryeministri Kurti dhe ministrja Haxhiu e cilësojnë hap tejet të vlefshëm këtë dokument për trajtimin e viktimave të dhunës seskuale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përgëzuar angazhimin e të gjithë atyre që kanë kontribuar në hartimin Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale, dhe ka vlerësuar se ky dokument do të ndihmojë në ngritjen e përgjegjësive të dikastereve kompetente në raport me viktimat e dhunës seksuale.
Kryeministri Kurti ka shtuar se, “Puna profesionale dhe me përgjegjësi, përkushtimi serioz dhe ndjeshmëria për vënien e drejtësisë, janë tipare të cilat i bëjnë institucionet e drejtësisë serioze në veprim dhe të përgjegjshme në zbatim të plotë të detyrave dhe misionit që kanë”.
Kurti në vijim tha se “Ky Protokoll Shtetëror synon të qartësojë të gjithë institucionet përgjegjëse se nuk ka rëndësi nëse viktima apo e mbijetuara kontakton së pari në urgjencë, denoncon rastin në polici, kontakton me mbrojtësin e viktimave, apo kërkon ndihmë në një qendër të specializuar të shërbimeve për gratë e dhunuara. E rëndësishme është që pavarësisht se cili institucion merr informacionin e parë për rastin, duhet të fillojë menjëherë trajtimi me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm dhe duhet të përmbushen të gjitha nevojat specifike të viktimës nëpërmjet qasjes shumë-sektoriale të koordinuar”.
Ministrja Haxhiu tha se ka pasur një përpjekje maksimale që të përgatitet një dokument i mirë, konciz, i shkruar me gjuhë të qartë e të kuptueshme, që bazohet në realitetin sot dhe parashikon qartësisht synimet se ku duam të mbërrijmë nesër, që paraqet drejt përgjegjësitë dhe detyrimet institucionale të ndara në kapituj të veçantë, por dhe punën e përbashkët nën qasjen shumë-sektoriale të koordinuar. Për këtë, Ministrja e Drejtësisë, falënderoi Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë për mbështetjen e ofruar me ekspertizën e cila ka mundësuar që Kurrikula të jetë në frymë dhe përputhje me Konventën e Stambollit dhe standardet ndërkombëtare.
Përgatitja e këtij Protokolli plotëson detyrimin për zbatimin e Konventës së Stambollit, legjislacionit në fuqi, si dhe Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022 – 2026, miratuar nga Qeveria e Kosovës në 26.01.2022. /2LONLINE/