(2L ONLINE) – Këshilli i Veprimit Rinor Lokal (KVRL) në Gjilan nesër (Të Dielën) nga 12:00 do të organizojë një aktivitet simbolik për t’i kritikuar ikjet e të rinjve në mënyrë ilegale nga Kosova për në vendet e Bashkimit Europian si dhe mosintervenimin e qeverisë për t’i krijuar kushte më të mira qytetarëve të saj, në mënyrë që mos të kërkojnë zgjidhje jashtë Kosovë.
Nesër nga ora 12:00 para teatrit të qytetit, të rinjtë e Komunës së Gjilanit nën ombrellën e KVRL-Gjilan, do të organizojnë një aktivitet simbolik ku do ta improvizojnë gjendjen e qytetarëve të ikur nga Kosova nëpër kampet e mbajtjes në shtetet e BE-së.
Në të njëjtën kohë do të jetë edhe pema e mesazheve, ku kalimtarët e rastit do të kenë mundësi që të shkruajnë mesazhe kundër ikjes së të rinjve nga Kosova në mënyrë ilegale si dhe për ta kritikuar qeverinë që nuk po ndërmerr asgjë për të parandaluar këtë dukuri si dhe për të krijuar kushte të mira për qytetarët e saj, në mënyrë që mos të kenë nevojë të ikin nga Kosova, por ta kenë një jetë më të mirë në Kosovë.
Gjithashtu një grup tjetër nga KVRL nga ora 12:00 do të nisen nga Universiteti Publik i Gjilanit në drejtim të kampit të improvizuar te teatri i qytetit duke bërë një marsh, si improvizim i rrugës së vështirë të qytetarëve gjatë ikjes nga Kosova.
Në emër të KVRL-së, ftoheni të na bashkangjiteni në aktivitetin tonë, për t’i dhënë mesazhet tona qytetarëve që mendojnë të ikin nga Kosova, por në të njejtën kohë edhe qeverisë së Kosovës e cila nuk po ndërmerr asgjë për ta parandaluar këtë veti, duke ia përmirësuar gjendjen e tyre dhe krijuar kushte më të mira për jetesë për qytetarët e Kosovës në Kosovë. /2L ONLINE/