/2L ONLINE/ – Kuvendi Komunal i Gjilanit, të enjten, në seancën e fundit për pjesën e parë të vitit, të cilën e ka drejtuar Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka miratuar raportin e punës së kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor 2016, raportin financiar për të njëjtën periudhë, pastaj nismën dhe vendimin për autorizimin e kryetarit të Komunës për bashkëpunim me komunën e Novobërdës, në fushën e infrastrukturës rrugore, ndriçim publik, kanalizime dhe ujësjellës, me komunën e Lipjanit për ndërtimin e rrugës Vërbicë e Zhegocit-Sllovi dhe me komunën Samsun të Turqisë, në fushën administrative dhe teknike.
Kuvendi po ashtu ka miratuar kërkesën e Teatrit për ndarjen e një shumë prej 70 mijë euro, për nevoja të funksionimit të këtij institucioni, që e paraqiti Shpresa Kurteshi (LDK), si dhe me kërkesën e Riad Rashitit (PDK) ka diskutuar për gjendjen në kompaninë Ecohigjiena, përkatësisht për projektin e kompleksit të shkollave të mesme, të cilën e kërkoi Fehmi Sylejmani (VV).
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, duke e prezantuar raportin e punës, ka thënë se qeverisja e tij karakterizohet me suksese dhe sfida. Në këtë gjashtëmujor, kemi arritur të realizojmë një sërë projektesh të rëndësishme për Komunën tonë, ka thënë Haziri, duke nënvizuar se Gjilani është kthyer në një qytet meritor për banorët e tij.
Duke iu përgjigjur disa akuzave të opozitës, Haziri ka thënë se 81 për qind e qytetarëve të Gjilanit, janë të kënaqur me qeverisjen e LDK-së. Ai ka kërkuar bashkëpunim në Kuvend Komunal për të mirën e qytetarëve të kësaj Komune. “Është normale të kemi dallime me opozitën, por nuk do të doja që opozitën ta shoh si divizion të ndarë”, ka thënë Haziri. (Më gjerësisht shih: http://kk.rks-gov.net/gjilan/News/Lutfi-Haziri-Ne Gjilan kemi-vendosur barazi ne investime).
Raporti është përkrahur dhe mirëpritur nga LDK e AAK si partnerë të koalicionit, ndërkaq është kritikuar nga partitë opozitare – PDK e VV.
Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se edhe kjo periudhë raportuese karakterizohet me qeverisje të mirë dhe transparente në shërbim të qytetarëve, duke përmendur ndërtimin e shtëpive për nevojtarë, ku deri tani kanë përfituar mbi 30 familje.
Sahit Abazi (PDK) nuk e mohoi që në Gjilan ka edhe zhvillime pozitive, por tha se gjendja nuk është krejt e bardhë siç përshkruhet në raportin e kryetarit. Ai është shprehur i pakënaqur me ngecjet në projektin e lumit Mirusha, shkallën e lartë të papunësisë, cilësinë e punimeve në infrastrukturë, që siç tha ai, është bërë fenomen kosovar në këto 17 vjet dhe kërkoi një komisionin për vlerësimin e cilësisë së projekteve rrugore.
Selami Xhemajli (AAK) ka thënë se raporti përmban të dhëna të mjaftueshme mbi punët, projektet dhe zhvillimet e kësaj periudhe, duke lavdëruar te kjo qeverisje reduktimin e shpenzimeve dhe transparencën.
Nevzad Isufi (VV) ka thënë se raporti duhet të bazohet te planet e punës së drejtorive, që për fat të keq, shumica e tyre nuk i kanë fare, ose kanë plane jo serioze. Planit të punës nuk i është përmbajtur as Kuvendi Komunal, ka thënë ai. “Raporti pasqyron atë që quhet sukses i një qeverisje, por i mungojnë sfidat dhe dështimet”, ka thënë Isufi.
Lumi Mirusha ka qenë çështja më e përmendur në debatin e anëtarëve të Kuvendit, ku pos shefave të grupimeve politike.
Bujar Nevzati (PDK), ka thënë se ai ka qenë mjaft i zëshëm në Kuvend dhe këtë e ka bërë, siç ka theksuar, për interesa të Gjilanit dhe jo pse ka diçka personale me këndo qoftë. Arjeta Rexhepi (VV) e ka analizuar punën e Drejtorisë së Kadastrës, si pjesë e raportit të kryetarit të Komunës, ndërsa Fehmi Sylejmani (VV) ka thënë se raporti është lavdërues, ndërkohë që ka analizuar gjendjen në arsim, kulturë dhe sport.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se Mirusha është një problem që e ka trashëguar dhe nuk ka lejuar të punohet me improvizime. Mirusha dhe Stanishorka, që është një problem edhe më i madh për qytetarët, do të zgjidhen në kuadër të projektit të madh për sistemin e ujërave të zeza dhe atmosferike, që financohet nga qeveria austriake, ka thënë ai.
Mirusha duhet të mbyllet sepse nuk ka rrjedhë natyrore të ujit dhe Gjilani nuk e ka mundësinë të krijojë një “Dubai story”, duke sjellë ujë nga pjesët tjera.
Ndërkaq sa i përket cilësisë së punimeve në rrugë, të cilën e ngriti Sahit Abazi, kryetari Haziri ka thënë se pajtohet plotësisht, por ka shtuar se kjo është përgjegjësi e ekspertëve që e vendosin nënshkrimin e tyre në përfundim të projektit. “Unë nuk jam ai që e kontrolloj cilësinë e asfaltit”, ka thënë Haziri.
Pasi ka përmendur shumë projekte që janë realizuar ose që janë në proces e sipër, Haziri ka thënë se interesimi ynë është që Gjilani të kalojë në një infrastrukturë tjetër nga ajo e viteve të 70-ta, e cila është ndërtuar nga baballarët tanë.
Sa i përket futjes së pikave të rendit të ditës jashtë planit të punës së Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese, ka thënë se të gjitha gjerat nuk mund të planifikohen në fillim të vitit dhe ka sqaruar se ekzekutivi ka të drejtë të propozojë futjen e një çështje të caktuar në rend dite.
Ndërkaq, raportin financiar për këtë periudhë e ka paraqitur drejtori i Buxhetit, Zijadin Maliqi. Ai ka thënë se buxheti i vitit 2016, është 22.564.595 euro. Nga kjo shumë, për paga dhe mëditje janë paraparë 14.326.792 euro, për mallra dhe shërbime – 2.745.108 euro, për shpenzime komunale – 583.704, për subvencione – 803.411, për shpenzime kapitale – 4.105.578 euro.
Ky buxhet realizohet nga granti i përgjithshëm – 17.354.701 euro, si dhe nga të hyrat vetanake – 4.000.000. Të hyra vetanake nga viti paraprak janë bartur 1.004.614 euro, kurse 205.280 euro janë participime të qytetarëve, ka thënë Maliqi.
Në këtë periudhë, janë shpenzuar 10.591.044 euro, ose 47 për qind e mjeteve të planifikuara. Rreth 1.5 milionë euro, janë investime kapitale, kurse subvencione janë 341 mijë euro.
Ndërkaq, sa i përket kompleksit të shkollave të mesme, që po realizohet në partneritet publiko-privat, Haziri ka thënë se nuk ka shmangie të madhe nga projekti fillestar, por disa ndryshime të arsyeshme që është dashur të bëhen. Operatori është i obliguar t`i përmbahet marrëveshjes qind për qind, ka thënë ai.
Kurse te rasti i kompanisë “Ecohigjiena”, ku janë përfshirë në debat Riad Rashiti e Isa Agushi, me qëndrime për dhe kundër partneritetit publiko-privat, kryetari Haziri ka kërkuar që rasti të mos politizohet, por ka thënë se shqetësimi ynë atje janë investimet e pa realizuar dhe largimi i disa punëtorëve.
Sa i përket kthimit në vend pune të dy ish-punëtorëve të kompanisë, ai ka thënë se vendimi i gjykatës duhet të respektohet, sepse është përfundimtar.
Përndryshe, Haziri ka thënë se Komuna nuk ka qasje negative ndaj kësaj kompanie dhe shpreson se gjendja e krijuar dot ë zgjidhet në mënyrë racionale.
Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka filluar seancën e sotme me një minutë heshtje për veprimtarin Nuri Idrizi, në shenjë nderimi e respekti për ndihmën dhe kontributin që ka dhënë në zhvillimet e përgjithshme politike dhe kombëtare të vendit.
Shtëpia e tij në lagjen “Dardania” para dhe gjatë luftës, ka qenë seli dhe strehë e aktivistëve dhe veprimtarëve politikë të LDK-së. /2L ONLINE/