(2L ONLINE) -Kuvendi Komunal i Gjilanit, të martën, në seancën e parë për këtë vit, të kryesuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për subvencionimin e aktiviteteve të shoqatës “Hendikos” dhe Shoqatës së të Verbërve, ndërkaq e ka shtyrë për një seancë tjetër kërkesën për subvencionimin e Shoqatës për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave dhe fëmijëve “Liria”.
Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe vendimin për subvencionimin e normës së interesit të kredive për bizneset mikro dhe agro, vendimin për dhënien në shfrytëzim të një ngastre kadastrale me sipërfaqe 233 m/2, për një rast të banimit social. Anëtarët e Kuvendit u njoftuan edhe me një informatë për ndërtimet pa leje.
Opozita dhe pozita në Gjilan u bënë bashkë te çështja e përkrahjes me subvencione të shoqatës “Hendikos” dhe shoqatës për personat e verbër, duke i dhënë mbështetje të përgjithshme miratimit të vendimit. Te subvencionimi i shoqatës për mbrojtjen e gruas dhe fëmijëve “Liria”, opozita kishte dallime brendapërbrenda saj.
Në emër të grupeve të këshilltarëve komunalë, propozimin për subvencionimin e shoqatave të personave të hedikepuar, i kanë dhënë mbështetje Jashar Jashari (LDK), Selami Xhemajli (AAK), Fehmi Sylejmani (VV), Fatbardha Selmani (PDK), Selvete Shurdhani (PD), sikurse edhe këshilltarë tjerë komunalë, Arben Mehmeti, Bujar Nevzati, Isa Agushi, Arben Maliqi, Nevzad Isufi, Nevzad Rushiti, Sejdullah Kadriu, Zijadin Maliqi dhe të tjerë.
Zijadin Maliqi kanë thënë se duhet të arsyetohet mënyra e shpenzimit të subvencioneve të mëhershme, sepse ky është obligim ligjor.
Këshilltarët komunalë kërkuan më shumë sqarime sa i përket kërkesës së shoqatës “Liria”, duke thënë se pos shumës prej 3.000 euro, nuk është e qartë se sa janë shpenzimet tjera komunale që i merr përsipër t`i paguajë komuna.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se “Liria” fillimisht ishte kërkuar një shumë të konsiderueshme të mjeteve, por sot është nënshkruar një marrëveshje me kryetarin e Komunës, ku shuma është caktuar të jetë 3 mijë euro.
Kuvendi Komunal, vendosi ta shtyjë këtë pikë, pas një konsultimi që kryesuesja bërë me shefat e grupeve të këshilltarëve.
Ndërkaq sa i përket propozimit për ndarjen e një ngastre kadastrale prej 233 metra katrorë, për nevoja të banimit social, në një zonë të destinuar për këto raste, sqarime ka thënë Sali Fazliu nga drejtoria e Kadastrës, duke thënë se titullar i pronës mbetet Kuvendi Komunal.
Sqarime sa i përket subvencionimit të interesit të bankës, te projekti i kredive për mikro dhe agro bizneset, ka dhënë Ismajl Januzi, drejtor për Zhvillim Ekonomik, duke thënë se Komuna merr përsipër vetëm normën e interesit për tri vjet, në shumën e përgjithshme prej 150.000 euro.
Kuvendi është njoftuar edhe me një informatë për ndërtimet pa leje, të cilën e ka paraqitur ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inspektoratit komunal, Isa Veliu dhe pas një diskutimi të gjerë, ka kërkuar ndërprerjen e kësaj dukurie dhe rrënimin e objekteve, të cilat nga inspeksioni janë identifikuar si ndërtime të paligjshme.
Përndryshe, Ismet Hajdini (AKR) prej sot i është bashkuar grupit të këshilltarëve të LDK-së në asamblenë komunale, e cila tani ka 15 vota, por ai nuk e ka ndërruar subjektin politik. /2L ONLINE/
/fotoarkivi/