/2L ONLINE/ – Kuvendi Komunal i Gjilanit, të enjten, në mbledhjen e fundit për këtë vit, ka miratuar rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, rregulloren për subvencione, vendimin për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronave të paluajtshme komunale, planin komunal të veprimit për të zhvendosurit, planin e punës së Kuvendit për vitin 2017, orarin e punës së Kuvendit dhe Komiteteve për vitin e ardhshëm si dhe raportin e kontrollimit shëndetësor të nxënësve.
Kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se të gjitha këto pika janë shqyrtuar e diskutuar paraprakisht nëpër komitetet përkatëse dhe pastaj janë rekomanduar për miratim në Kuvend Komunal.
Sa i përket rregullores komunale për taksa, Hevzi Matoshi nga Zyra Ligjore, ka thënë se disa tarifa janë hequr, disa janë ulur, kurse një numër tjetër janë modifikuar, ndërkaq sqarime shtesë për ndryshimet e tarifave në sektorin e Administratës dhe Ekonomisë, kanë dhënë drejtorët Nazim Gagica e Agim Zuzaku.
Ata janë përgjigjur edhe në pyetjet konkrete të anëtarëve të Kuvendit, Ibsih Ibishi, Bajram Hasani, Fehmi Sylejmani dhe të tjerë.
Ndërsa sa i përket vendimit për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme komunale, Arjeta Rexhepi (VV), ka kërkuar që çështja të rishikohet, duke thënë se banesat duhet t`iu jepen në shfrytëzim rasteve sociale, që nuk e kanë të zgjidhur problemin e banimit, meqë dihet se për një numër prej tyre, qiranë e kompenson Komuna.
Përndryshe, edhe në këtë seancë, përmes pyetjeve të drejtpërdrejta, opozita ka ngritur shqetësime për problematika të ndryshme dhe për shumicën prej tyre ka marrë përgjigje nga nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu si dhe drejtorët komunalë, Naser Korça (Shërbime Publike, Nazim Gagica (Administratë e Përgjithshme) dhe të tjerë, ndërkohë që kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka premtuar se për pyetjet tjera, që kryesisht kishin të bënin me sektorin e arsimit dhe u shtruan nga Fehmi Sylejmani, Bujar Nevzati, Shukrije Rapuca, Leonora Bunjaku, Nevzad Isufi dhe të tjerë, përgjigjet do t`i marrin me shkrim nga drejtoritë përkatëse.
Në pyetjet që kishin të bënin me investimet në infrastrukturë, ndriçim publik dhe të tjera, të cilat u ngritën nga Ibish Ibishi, Krenare Latifi, Arjeta Rexhepi, Sejdullah Kadriu, Fehmi Sylejmani dhe të tjerë, janë përgjigjur nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu si dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça. Ata kanë thënë se projekti i rrugës me katër krosi, për të cilën pati më së shumti interesime, nuk ka përfunduar ende.
Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit, përsëri është dashur të merret me anëtarin e tij, Srgjan Mitroviq, i cili disa herë deri tani është përjashtuar nga seancat, për shkak se nga qeveria e Serbisë është emëruar në krye të strukturave paralele dhe nuk ka pranuar të deklarohet me shkrim që është vetëm anëtar i Kuvendit Komunal në Gjilan dhe nuk përfaqëson interesa tjera.
Në të vërtetë deklarata që kishte sjellë sot Mitroviq, ku nuk thuhej se ishte tërhequr nga strukturat paralele, por vetëm nënvizohej fakti se ai ka marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë dhe, sipas ligjit është zgjedhur për të përfaqësuar komunitetin serb, nuk u konsiderua e mjaftueshme nga shumica e këshilltarëve komunalë.
Kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se me këtë shkresë, Srgjan Mitroviq e ka plotësuar kërkesën tonë që të deklarohet se ai është vetëm anëtar i Kuvendit Komunal dhe se këtu nuk përfaqëson interesa të tjera, pos atyre të serbëve lokalë, të cilët e kanë zgjedhur.
“Ne nuk i njohim strukturat paralele dhe nuk mund t`i kërkojmë atij që të sjellë ndonjë shkresë prej atyre strukturave, por mjafton që ai u deklarua se është vetëm anëtar i Kuvendit Komunal”, ka thënë ajo.
Megjithatë, ky rast mbeti i hapur edhe më tutje për shkak të mospajtimeve të shumicës së anëtarëve të Kuvendit me këtë formë të deklarimit të Mitroviqit.
Sahit Abazi (PDK) tha se në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe ky është një problem shumë serioz. Që t`i lejohet pjesëmarrja në Kuvend Komunal, Mitroviq duhet të deklarojë qartë se nuk është pjesë e strukturave paralele, të cilat në Kosovë janë struktura kriminale, ka thënë Abazi.
Nevzad Isufi (VV), ka thënë se Mitroviq është përpjekur të bëjë mashtrim, ndërkohë që nuk është tërhequr prej strukturave paralele, që kanë edhe zyra në Kufcë. Ai duhet të sjellë dëshmi nga qeveria e Serbisë se është shkarkuar nga strukturat paralele dhe pastaj t`iu kthehet përgjegjësive të tij në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka thënë Isufi.
Qëndrim të njëjtë ka mbajtur edhe shefi i grupit të këshilltarëve të AAK-së, Selami Xhemajli, duke shtuar se Mitroviq po vazhdon të tallet me ne, meqë as sot nuk deklaroi që nuk është më kryetar i strukturave paralele.
Avdyl Aliu (LDK) kërkoi që Kuvendi t`i kthehet agjendës së punës dhe t`i kryejë përgjegjësitë e veta. Përndryshe, ai e vlerësoi të suksesshëm vitin 2016, duke thënë se bashkërisht me opozitën kemi bërë shumë punë të mira për qytetarët e Gjilanit.
Bujar Nevzati (PDK) ka thënë se problemi është i qartë. Mitroviq mund të vazhdojë të jetë anëtar i Kuvendit Komunal, pasi të deklarohet qartë se nuk është më në strukturat paralele dhe se i njeh institucionet e Republikës së Kosovës.
Në të vërtetë, derisa po zhvillohej ky debat, Srgjan Mitroviq e kishte lëshuar seancën e Kuvendit, ende pa iu kërkuar që ta bënte këtë gjë, për dallim prej herëve tjera, kur kishte refuzuar të largohej.
Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka filluar seancën e sotme me nderimin për veteranin e arsimit, Nuhi Leka, i cili ka ndërruar jetë. Bunjaku-Rexhepi tha se Leka ka dhënë një kontribut të madh në arsimimin e brezave të rinj dhe afirmimin e shkollës shqipe. /2L ONLINE/