Ukshin Zajmi
(2LONLINE) – Edhe pak muaj na kanë mbetur deri në 104 vjetorin e fillimit të shkollës së parë për përgatitjen e profesionit të mësuesisë (mësimdhënësve) në gjuhën shqipe, Shkollës Normale të Elbasanit. Kjo shkollë ia filloi punës me 1 dhjetor të vitit 1909, dhe për drejtor të saj qe caktuar gjilanasi Qamil Bala, por për shkaqe të pengesave të Qeverisë Otomane, por edhe të shovenizmit grekë ai nuk mundi të vie me kohë dhe këtë detyre e mori Luigj Gurakuqi.
Në këtë shkollë, në vitin e parë mësuan 140 nxënës, prej të cilëve gjysma ishin nga Kosova dhe Çamëria. Nga Kosova, në saje të angazhimit shoqëror, moral e material të Hasan Prishtinës e të bashkëpuntorëve të tij, këtu mësimit i ndoqën: nga Gjilani 5 veta; Vushtria 5; Gjakova 3; Mitrovica 3; Prizreni 3; Presheva 2; dhe Peja 1 nxënës.
Nga hulumtimet e deritanishme për nxënësit e parë gjilanas që filluan të përgatiten për mësues është arritur që të mësohen vetëm emrat e tyre, e ata janë: Seit Ademi, Beqir Sadiku, Shyqeri Malushi, Qamil Zeneli dhe Nevzat Sherifi. Këta emra i ka bërë publik prof.dr.Abdylaziz Veseli (i ndjerë) në studimin e tij “Shkolla dhe arsimi shqip në prefekturën e Prishtinës, gjatë periudhës 1941-1944” të botuar në Gjilan në vitin 2003, faqe 98, i cili, sipas referencës thuhet se këta emra i ka marrë nga gazeta “Liria” nr.64, faqe 1, që është botuar në Selanik në vitin 1910. Pos emrave të këtyre pesë përsonave, tjetër asgjë nuk dihet për ta, andaj është e udhës që institucionet arsimore të Gjilanit, shoqatat profesionale si ajo e historianëve e pedagogëve, veteranët e arsimit, por edhe qytetarët tjerë të angazhohen për t’i identifikuar këta përsona: se, në cilin vendbanim kanë lindë, rruga e tyre jetësore, dhe pasardhësit e tyre, më qëllim që historiku i arsimit shqip të Gjilanit të jetë më i kompletuar dhe më i argumentuar. Për normalistët gjilanas në Shkollën Normale të Shkupit të vitit 1910: Shaban Zeqirin dhe dhe Halit Isanë dihet nga një biografi e shkurtër, të cilat i ka shënuar po Abdylaziz Veseli.
Për fat të keq, për normalistët e parë gjilanas që mësuan në Elbasan nuk dihet asgjë, por nuk është qudi që këta dhe familjet e tyre të kenë qenë në shënjestër të regjimit otoman por edhe të pretenduesve territorial të Kosovës e të jenë përzenë nga Gjilani, andaj edhe këtë shënim e kërkesë e titullova:” Kush i njef normalistët e parë gjilanas?!”. Të gjithë ata që mund të japin shënime për këta normalist dhe familjet e tyre, ato t’ia afrojnë autorit të këtij shkrimi apo t’i deponojnë në Arkivin e qytetit të Gjilanit. /2LONLINE/