(2LONLINE) – Referuar statistikave nga Qendra Rajonale për Punësim (QRP), Rajoni i Gjilanit (Gjilan, Kamenicë e Viti), ka të evidentuar mbi 30 mijë të papunë. ndërsa vetëm në komunën e Gjilanit, pran kësaj Qendre janë të evidentuar mbi 18 mijë e 250 punëkërkues.
Ndonëse në këto lista nuk mungojnë as ata me fakultet apo shkollim të lartë, megjithatë shumica e këtyre të evidentuar si të papunë janë të pakualifikuar. Në Gjilan është edhe Qendra për Aftësime Profesionale (QAP), e cila mëton ti aftësojë për tregun e punës, punëkërkuesit e pakualifikuar, edhe atë në disa profile, por referuar kapaciteteve që ka kjo Qendër, vërehet se interesimi për t’u trajnuar mungon dukshëm tek punëkërkuesit.
Ose ka punëkërkues të tillë që edhe nuk ia do shpirtin punën, ose edhe pesimizmi te kjo kategori është i tillë sa që edhe si i kualifikuar në këto profile që ofron Qendra në fjalë, prapë nuk shohin perspektivë. Si do që të jetë kjo Qendër inkurajon të gjithë që të ofrohen dhe të aftësohen në profilet që ofron kjo qendër për të qenë sa më të gatshëm për tregun e punës, ku konkurrenca është e madhe, si rrjedhojë e numrit të madh të të papunëve dhe vendeve të pakta të punës.
Drejtori i Qendrës Rajonale për Punësim (QRP), Xhevat Aliu ka thënë për Portalin 2lonline se një kujdes të veçantë i kushtojnë edhe trajnimit të të papunësuarve të pakualifikuar përmes qendrës për Aftësime Profesionale.
Aliu tha se ofrohen kurse për administrim biznesi, kompjuter, dizajn grafik, saldim dhe zdrukthëtari dhe se të gjitha këto janë falas.
“Këto kurse janë falas por se interesimi i punëkërkuesve për t’u aftësuar për tregun e punës nuk është në nivelin e kënaqshëm. Deri më tani janë përcjellë për trajnim 228 punëkërkues nga të cilët kanë diplomuar 100, derisa të tjerët janë në proces, por ka edhe të atillë qe i kanë ndërprerë trajnimet”, ka thënë Aliu
Ai ka ftuar të interesuarit që të ofrohen pran kësaj Qendre sepse kapacitetet janë më të mëdha se sa interesimi momental dhe se objekti dhe kushtet e trajnimit janë me standarde të larta. /2lonline/