(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka vendosur që ta anulojë vendimin e jurisë për dhënien e çmimit “Fest Flaka” solistes Enkelejda Arifi, për të shmangur konfliktin e interesit, meqë ajo është zyrtare e Drejtorisë së Kulturës dhe ishte pjesë e Bordit organizativ të manifestimit “Flaka e Janarit”.
Në vendimin e Hazirit, thuhet:
Jam shumë i nderuar që më ra hise që të përkujdesem për mbarëvajtjen e manifestimit shumë kulturor e mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2014”, i cili sivjet iu kushtua 30 vjetorit të rënies së dy dëshmorëve të kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha.
Që nga dita e parë kur e nisëm këtë manifestim me ndezjen e Flakadanit, e deri në ditën djeshme kur përfundoi, jam shumë i kënaqur me mbarëvajtjen e këtij manifestimi me karakter mbarëkombëtar.
Dëshmorët janë ata më meritorët për këtë ditë të bardhë në Kosovë, për liri, për pavarësi dhe për bashkim të shqiptarëve. Nga dëshmorët ne kemi mësuar shumë, por mbi të gjitha ata na dhanë guximin e kurajën që të mos pajtohemi me të keqen dhe padrejtësitë, por të vazhdojmë rrugën tonë për liri dhe ky nderim për ta është më e pakta që mund të bëjmë si institucion i Komunës.
I falënderoj të gjithë artistët që morën pjesë në këtë manifestim, i cili ishte i bazuar në pesë shtylla: shtylla e artit pamor, shtylla e artit letrar, shtylla e artit skenik, shtylla e artit muzikor dhe Akademia e Flakës…
Ju njoftoj se kam anuluar vendimin e jurisë që në natën finale të Fest Flakës e shpalli fituese të festivalit të muzikës popullore solisten Enkelejda Arifi, për shkak të konfliktit të interesit, pasi që e njëjta punon si zyrtare në drejtorinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit në Gjilan dhe njëherësh ka qenë pjesë e Bordit të organizimit të Manifestimit “Flaka e Janarit 2014”.
Vlera financiare e çmimit të parë do të ndahet për manifestimin e ardhshëm që do të mbahet në shkurt, thuhet në vendimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. /2lonline/