/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot, në takim Klubin e Gjimnastikës “ Halil Alidema” Viti, në krye me kryetarin e këtij klubi, Hazir Alidema. Gjatë këtij takimi kryetari Haliti, i ka dorëzuar z.Alidema vendimin e regjistrimit zyrtar të këtij klubi, pranë Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Viti, duke potencuar se komuna të cilën ai e udhëheq do të vazhdoj të mbështesë këtë klub edhe në të ardhmen që sipas tij përbëhet nga fëmijë të talentuar.
“Me të vërtetë që nga funksionimi i këtij klubi ju keni bërë performanca të shkëlqyera të gjimnastikës. Jam i bindur se do të vazhdoni edhe në vitin në vijim me performanca të tilla mandej edhe më të mira. Në rrugën tuaj për të arritur suksese ju nuk do të jeni të vetëm sepse do të keni mbështetjen e Kryetarit të Komunës dhe të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Viti” u shpreh kryetari Haliti duke ju uruar atyre regjistrimin zyrtar të këtij klubi pranë drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Viti.
Haliti po ashtu tha se kjo komunë është e përkushtuar të përkrah sektorë të ndryshëm në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit duke përmendur faktin se Komuna e Vitisë, është ndër komunat e vetme në Kosovë që 15% të subvencioneve nga DKRS-ja ka ndarë për Këshillin e Veprimit Rinor Lokal të Vitisë.
Kurse Hazir Alidema “ Kryetar i Klubit të Gjimnastikës “ Halil Alidema”- Viti, falënderoj kryetarin Haliti dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, për mbështetjen e dhënë, duke potencuar se në rajonin e Anamoravës ky është klubi i parë i gjimnastikës.
“Klubi i parë në rajonin e Anamoravës është klubi ynë andaj në kuadër të këtij klubi kemi fëmijë nga komunat Viti, Kamenicë, Gjilan dhe Ferizaj, pra me të përfaqësohen gjithsej 4 komuna. Kemi marrë pjesë në shumë gara në disa komuna të Kosovës. Jam i kënaqur me punën e fëmijëve dhe po ashtu dua të ju falënderoj juve për përkrahjen që keni dhënë për këtë klub andaj ju jam shumë mirënjohës sepse me ndihmën e juaj ne kemi arritur të regjistrojmë këtë klub”, u shpreh Alidema.
Kurse gjatë këtij takimi është folur edhe për mbështetjen e këtij klubi në vitin në vijim dhe të krijimit të kushteve sa më të mira për zhvillimin e ushtrimeve në fushën e gjimnastikës.
Gjatë këtij takimi kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Përgjegjësi i Sektorit për Rini dhe Sport, Emrush Azemi ka bërë dorëzimin e vendimit zyrtar të regjistrimit të këtij klubi në DKRS-në e Vitisë.
Përndryshe ky klub gjatë këtij viti ka marrë pjesë në disa ngjarje kulturore dhe sportive të cilat janë mbajtur në territorin e komunës së Vitisë kurse vendimi për regjistrimin zyrtar të këtij klubi në drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Viti është bërë sot. /2L ONLINE/