/2L ONLINE/ – Sot në Viti ka qëndruar për një vizitë Jean Marc Guinchard, kryetar i Parlamentit të Republikës dhe kantonit të Gjenevës. Ai është pritur nga kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti me bashkëpunëtorë, me që rast biseduan për shumë tema me rëndësi.
Guinchard ka thënë se ndjehet shumë i nderuar me mikpritjen e udhëheqjes komunale të Vitisë, njëherit ka theksuar se ideja e tij për të vizituar komunën e Vitisë, ishte se për afër 15 mijë shqiptar që jetojnë dhe veprojnë në Gjenevë, afër 80 % e tyre janë nga komuna e Vitisë.
“Në Gjenevë, afër 40 % e popullsisë, janë të huaj dhe nga kjo përqindje, shqiptarët e Kosovës janë ndër më të integruarit”, ka thënë Guinchard.
Ai u interesua rreth zhvillimit të gjithmbarshëm në komunën e Vitisë, shkollimit të të rinjve, mundësit e bashkëpunimit në aftësimin profesional, relievin e komunës, sektorin e shëndetësisë dhe të bujqësisë.
Kryetari Haliti, pasi ka falënderuar atë për vendimin që të të vizitoj qytetin e Vitisë, e ka njoftuar edhe për zhvillimet e gjithmbarshme komunale, si dhe bashkëpunimin e mirë që ka kjo komunë me projektin “DEMOS” që financohet nga qeveria zvicerane dhe implementohet nga Helvetas Intercoperation, si dhe me CDI-në, por edhe me bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Zvicër.
“Qytetarët e komunës së Vitisë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, respektivisht ata të komunës së Vitisë, Zvicrën e shohin si vendin e tyre”, ka thënë Haliti.
Ai po ashtu e ka njoftuar z.Guinchard edhe me projektet që janë realizuar dhe ato që janë duke u realizuar, kurse ka potencuar se komuna e Vitisë, ka caktuar 1 Gushtin si Ditë të mërgimtarëve, ku zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore e sportive për nderë të mërgimtarëve. Kryetari Haliti e ka nderuar z.Guinchard me një dhuratë simbolike që simbolizon Vitinë, ndërsa pasdite kanë vizituar fshatin Letnicë. /2L ONLINE/