Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, është pritur sot me ceremoni të lartë shtetërore nga Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Në këtë takim, të dy kryeministrat konstatuan se vendet e tyre ndajnë interesa të përbashkëta në fushën politike, ekonomike dhe më tej, përfshirë këtu edhe aspiratat integruese në familjen evropiane, ndërsa fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe e konsideruan si alternativa e vetme dhe e duhur.
Duke i vlerësuar raportet e mira bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryeministri Hoti vlerësoi se avancimi i bashkëpunimit në fusha konkrete ndërmjet dy vendeve do të forconte edhe më tej zhvillimin ekonomik, politik dhe tregtar.
Ndërsa, Kryeministri Zaev theksoi se i mbështet përpjekjet e Republikës së Kosovës në rrugën e saj integruese, dhe njëherit e vlerësoi lart bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Për më tepër, Kryeministri Zaev vlerësoi se Kosova është një ndër partnerët më të rëndësishëm tregtar për Republikën e Maqedonisë së Veriut.