Më kujtohet si sot, koha Rrustës, babai i pat dhuruar orën e dorës të markës “Darvil”. Punonte si sahat më…! Por, shpeshherë fjalosej me shokë, se cilat ishin markat më të mira të orëve. Ne nuk kishin orë, asokohe. Por, me kalimin e kohës edhe disa nga ne bëmë orë dore. Njëri kishte “Omeg”, tjetri ”Omikron”, “Seiko”, “Zenit”… Çdo ditë si bari lopësh, nuk bisedonim tjetër veçse bisedën e orëve. Ndodhte shpeshherë, që lopët të ishin future thellë në misërishte, dhe kishin sakatosur misrin dhe kishin bërë lëmë fasulen e kungujt! Bile, njëherë Rrustës i pati ngordhur Bardhoka në jongjen e Sahitit , dhe s`e kishim pas hetuar fare! Eh, vakt he vakt…!
Nuk kishim telefona mobil sikur sot, s`kishim as IPhone, as … Meqë s`kishim çfarë të bënim tjetër, filluam të merreshim me ndërrimin e orëve qorr. Mbase dikush mund të mos e dijë, çfarë është ky ndërrimi qorr! Shumë lehtë , me ata që na merrte mendja se mund t`ia punonim, e dinim paraprakisht çfarë ore kishte, andaj vetëm e mbulonim me dorën e djathtë, dorën e orës dhe bërtisnim qorr (pa e parë , çfarë qëllon-qëllon)! He çfarë zhurme bëhej, kur dikush fitonte,… E humbësit, duke menduar se do ti binin qesharak, ofshanin thellë njëherë dhe u kalonte…!
Dhe ishte vërtetë shumë mirë në fillim ! Nga një“Darvil” dore, Rrusta arriti në “Omeg” xhepi, që ishte “baba” i të gjitha orëve të kohës. Të njohurit dhe shokët e thërrisnim maestro i orëve, bile shpeshherë kërkonin që t`ua kryej ndonjë shërbim, se përndryshe kurrë nuk do të bëheshin me orë. Rrusta ua kryente shërbimet dhe nuk qante kokën, derisa edhe shokët e mësuan këtë mjeshtri.
Shih për këtë, tani filluan humbjet – nguljet e njëri-tjetrit. Ndodhte që shpeshherë të merrte edhe vetëm kornizën e orës, pa makineri fare ! Por, hidhërim nuk kishte ! Vetëm duhej pritur viktimën, ose peshkun e parë që do të binte në grep ! Nuk ishin të pakta edhe rastet kur peshqit hasnin në grep, por shpëtonin. Por, si tru peshku më! S`vononte shumë dhe sërish, kafshonin fortë grepin, nga i cili s`dilej dot…!
Kjo histori ka zgjatur me vite të tëra, derisa Rrustës që deri dje ishte maestro i zanatit, nuk i doli zani që s`është farë mjeshtri pos një mashtrues,… Shokët mundoheshin ta mbronin e arsyetonin, por ishte e kotë mbrojtja pa mbulesë! Por, ata që kishin përfituar dhe ishin pajisur me orë të mira, ishin në gjendje të bëheshin kurban të Rrustës.
Duke u rritur Rrusta me shokë, rriteshin edhe nevojat dhe apetitet. Andaj, zanati i parë nuk i mjaftoi, kështu filloi të merrej me zanate tjera. Ndërrimi i mjeteve të transportit u bë profesion i tij. Nga biçikleta “Herkules” arriti në motoçikletën “Tomos”, e nga “Tomosi” në “Honda”,…! Voziste pa patent shofer dhe me shpejtësi të madhe. Bile edhe lavdërohej para të tjerëve, se si është ithtarë i shpejtësisë.
Dimrin e parë të zanatit, nga “Honda”, kaloi në “Golf 2” , të cilin e punoi special për krijimin e zhurmës, sepse dëshironte të ishte përherë në qendër të vëmendjes. Biznesi i tij rritej, sa hap e mbyllë sytë! Por edhe vëmendja e opinionit e pushtetit, sa vinte e përqendrohej në veprimtarinë e Rrustës. Tani më i ishte hapur edhe dosje, thoshin njohësit e rrethanave. Sepse filluan interesimet për të, thirrej herë pas herë për t`u konsultuar se si duhej të bëhej një punë a një veprim, kush dhe si mund e bënte,…! Rrusta ishte në gjendje të bënte gjithçka që kërkohej nga ai, vetëm e vetëm të ishte në qendër të vëmendjes. Bënte aventura të rrezikshme e të trishtueshme, por fillimisht njerëzit i besonin, sikur në kohën kur ishte maestro i orëve!
Me kalimin e kohës veturat ndërroheshin pothuajse çdo jave dhe tani më nuk bisedohej për vetura të lira , por ishin ato të prodhimit të fundit ! Dhe, të gjithë ia kishin lakmi. Madje betoheshin në kokën e tij dhe thoshin se s`do ta ndërronin me asnjë kusht. Me t`u bindur se është faktorizuar, filloi të hapej dhe t`u tregonte të gjithëve se ka falsifikuar, se nuk ka pasur lidhje me orët, motoçikletat, makinat,… Por, se thjeshtë ka patur guximin dhe në saje të tij dhe shokëve ka arritur deri këtu. Nëse flitej për ndonjë nga mashtrimet, Rrusta nuk hezitonte të jepte nga një emër , ky e ka bërë falsifikimin e orës “omega”, ky të motoçikletës “honda” , ky të veturës “hundai”,…!
Shokët nuk ishin bash naiv , siç aktronin . As ata nuk ishin krejt të pafajshëm. Por loja në të cilën ishin inkuadruar, nuk po i linte lehtë të dilnin, sepse edhe ata kishin përfituar. Bile po bëhej luftë se cili do ta trashëgonte maestron, ndonëse nuk llogarisnin se ai tashmë kishte krijuar emër. Ata akoma po pretendonin, se bashkë e kanë filluar biznesin, se humbja dhe fitorja u takon të gjithëve ! Kjo bëri që edhe shoqëria të zbehej dhe ndahej dhe gara për maestro të bëhej gjithnjë e më e fortë. Sot të gjithë e njohin maestron dhe shokët e tij, betohen në të, e një numër sish janë ftohur paksa, por loja po vazhdon, e rezultati pritet në fund të kampionatit!
/Nehat M.Ramadani/