(2L ONLINE) – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në takimin e të enjtes, të kryesuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal tri propozim-vendime për ndarjen e mjeteve financiare për subvencionimin e aktiviteteve të shoqatës “Hendikos”, Shoqatës së të Verbërve si dhe Shoqatës për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave dhe fëmijëve “Liria”.
Po ashtu, KPF ka rekomanduar edhe propozim-vendimin për subvencionimin e normës së interesit të kredive për bizneset mikro dhe agro, propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të një ngastre kadastrave me sipërfaqe 233 m/2.
KPF ka rekomanduar për Kuvend Komunal informatën për ndërtimet pa leje, ndërkaq e ka hequr nga rendi i ditës Informatën për investimet kapitale, për shkak të mungesës së materialit. Selvete Shurdhani (PD), Zijadin Maliqi (LDK), Selami Xhemajli (AAK), në emër të subjekteve të tyre i kanë dhënë mbështetje propozim-vendimeve për subvencionimin e aktivitetit të këtyre shoqatave, për të siguruar funksionimin normal të tyre. Zijadin Maliqi ka thënë se është e domosdoshme të bëhet një mbyllje e subvencioneve të më hershme, para se këtyre shoqatave t`iu lëshon mjetet tjera.
Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se kjo është një pikënisje e mbështetjes së këtyre shoqatave, duke shtuar se përkrahja nuk do të mungojë as në të ardhmen.
Sqarime sa i përket subvencionimit të interesit të bankës, te projekti i kredive për mikro dhe agro bizneset, ka dhënë Ismajl Januzi, drejtor për Zhvillim Ekonomik, duke thënë se Komuna merr përsipër vetëm normën e interesit për tri vjet, në shumën e përgjithshme prej 150.000 euro.
Me arsyetimin se mbledhja e Kuvendit Komunal është caktuar para se të mbahet Komiteti për Politikë dhe Financa, gjë që nuk janë respektuar procedurat, përfaqësuesit e opozitës, Bujar Nevzati (PDK) e Nevzad Isufi (VV) e kanë lëshuar takimin.
Valentina Bunjaku-Rexhepi sqaroi se procedurat për përcaktimin e rendit të ditës së Kuvendit Komunal do të respektohen, duke nënvizuar se pikat që nuk kalojnë në Komitetin për Politikë dhe Financa nuk do të shkojnë as në asamblenë komunale.
Edhe Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së, ka thënë se në KPF mund të ndryshohet rendi i punës i seancës së Kuvendit Komunal, pavarësisht se është caktuar mbledhja, duke mos e konsideruar këtë si një arsye të opozitës për të lëshuar takimin e sotëm. /2L ONLINE/