/2L ONLINE/ – Nën organizimin e Zyrës së Kryetarit të Komunës, Sokol Haliti, Drejtorisë Komunale për Buxhet dhe Financa , Zyrës për Investime dhe Mbështetje të Bizneseve, si dhe Zyrës së Informimit Publik, sot, në Komunën e Vitisë, ka filluar procesi i dëgjimeve publike të buxhetit komunale për vitin 2017, me qytetarë si dhe grupe tjera të interesit.
Dëgjimi i parë publik për buxhet, është mbajtur me përfaqësuesit e bizneseve që operojnë në Komunën e Vitisë, ku nga drejtuesit e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa para tyre u prezantuar qarkorja buxhetore 2017-2019 si dhe planifikimi I buxhetit për vitin e ardhshëm.
Hasan Aliu, zëvendëskryetar i komunës, ka thënë se autoritetet komunale me qëllim të ngritjes së transparencës me qytetarë edhe këtë vit vazhdojnë me praktikën e vitit të kaluar që planifikimin e buxhetit ta bëjnë së bashku me qytetarë.
“Vitin e kaluar, Komuna e Vitisë, në saje të angazhimit të të gjithë faktorëve, nga Ministria e Pushtetit Lokal, është renditur si komuna numër një në Kosovë, për sa i përket transprencës në planifikimit të buxhetit dhe këtë praktikë do ta vazhdojmë edhe kët vit, vetëm se duke rritur edhe më shumë numrin e debateve me qytetarë nga 20 sa ishin vitin e kaluar në 25 gjatë këtij viti”, ka thënë Aliu.
Ai ka theksuar se pjesëmarrja e qytetarëve në debate për buxhet ka rëndësi të veçantë , pasi ndihmon institucionet komunale që më lehtë të identifikojnë nevojat e qytetarëve.
“Na gëzon fakti se në saje të angazhimeve të vazhdueshme të kryetarit Haliti si dhe drejtorisë për buxhet, vitin e ardhshëm planifikohet një rritje të investimeve kapitale për mbi 220 ,mijë euro në krahasim me këtë vit, gjë që mundëson realizimin e sa më shumë projekteve për qytetarë”, ka theksuar Aliu.
E , Ibrahim Rama, drejtor komunal për buxhet dhe financa, pasi ka vlerësuar se ky debat për buxhet zhvillohet komform ligjit për financa publike, ka theksuar se në bazë të projeksioneve të para Komuna e Vitisë , vitin e ardhshëm do të ketë një buxhet prej 10 milion e 19 mijë euro, prej të cilave 8 milion e 891 mijë janë grand qeveritar, ndërsa 1 milion e 6 mijë e 695 euro të hyra vetanake.
“Nga buxheti i përgjithshëm i planifikuar për vitin 2017, planifikohet që 6 milion e 928 mijë euro të dedikohen për paga dhe mëditje, 953 mijë euro për mallra dhe shërbime, 200 mijë e 862 euro për shërbime komunale, 197 mijë e 712 për subvencione dhe 1 milion e 739 mijë euro për investime kapitale”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se pozitiv është fakti se Vitia vitin e ardhshëm do të ketë buxhet më të madh për investime kapitale.
“Edhe pse kërkesat dhe nevojat janë shumë më të mëdha , megjithatë buxheti I dedikuar për investime kapitale në shumë prej mbi 1 milion e 700 mijë euro do të ndikoi në përmirësimin e infrastrukturës dhe jetës së qytetarëve”, ka thënë Rama.
Përfaqësuesit e bizneseve prezent në këtë takim janë interesuar për mundësitë që ofron komuna në afarizëm më të suksesshëm të tyre duke filluar nga infrastruktura e deri tek zona ekonomike projekt ky që planifikohet të realizohet në të ardhmen.
“Komuna është duke bërë përpjekje maksimale që bizneseve si gjeneratorë të punësimit , t`iu mundësoi kushte më të mira për punë dhe në këtë drejtim pos angazhimeve në realizimin e projektit për zonën ekonomike në Budrigë, në bashkëpunim me projektin DEMOS është duke evidentuar gjitha pronat komunale që mund të jenë në dispozicion edhe të bizneseve që ato të operojnë në mënyrë më të suksesshme”, është shprehur Rama.
Komuna e Vitisë krahas debatit për buxhet me biznese në procesin e planifikimit të buxhetit parasheh realizimin edhe të dhjetëra takimeve me qytetarë në lokalitete, pastaj me grupin e grave, personat me nevoja të veçanta, OJQ-të lokale si dhe grupe tjera të interesit. /2L ONLINE/