/2L ONLINE/ – Komuna e Vitisë ka mbajtur dje diskutimet publike për planifikimin e buxhetit komunal në fshatin Vërban të Vitisë. Qëllimi i këtij diskutimi ishte që qytetarët e komunës së Vitisë, në veçanti edhe ata të Vërbanit të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes konkretisht të hartimit të buxhetit komunal për vitin 2017 në veçanti të përcaktojnë nevojat dhe kërkesat që ata kanë për investime. Gjatë këtij diskutimi banorët e të fshatrave Vërban parashtruan një varg kërkesash që kanë ata për lokalitetin e tyre ku prioritet për ta është sigurimi i ujit të pijshëm.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu gjatë diskutimeve publike që ka mbajtur dje me banorët e fshatrave Vërban dhe Smirë ka potencuar se komuna e Vitisë është e përkushtuar të bëjë një ndarje sa më të drejtë të buxhetit komunal për të gjithë qytetarët e kësaj komune.
“Komuna jonë edhe vitin e shkuar për hartimin e buxhetit komunal ka mbajtur 20 diskutime publike dhe atë me banorë të lokaliteteve të ndryshme por edhe me kategoritë e ndryshme të shoqërisë, nga këto diskutime ne kemi marrë kërkesat e tyre për investime kapitale“, u shpreh Aliu.
Ai tha se për këtë vit kjo komunë ka paraparë të mbaj 24 diskutime publike. E Ibrahim Rama, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim i njoftoj banorët e Vërbanit se vitin e ardhshëm do të ketë një buxhet prej 10 milion e 19 mijë euro, prej të cilave 8 milion e 891 mijë janë grand qeveritar, ndërsa 1 milion e 6 mijë e 695 euro të hyra vetanake.
“Nga buxheti i përgjithshëm i planifikuar për vitin 2017, planifikohet që 6 milion e 928 mijë euro të dedikohen për paga dhe mëditje, 953 mijë euro për mallra dhe shërbime, 200 mijë e 862 euro për shërbime komunale, 197 mijë e 712 për subvencione dhe 1 milion e 739 mijë euro për investime kapitale”, ka thënë Rama.
Gjatë këtij takimi Afrim Ramushi, Kryetar i fshatit Vërban kërkoj nga banorët që të shfrytëzojnë rastin që të parashtrojnë kërkesat e tyre përfaqësuesit të institucioneve komunale. “ Në shumë takimi të cilat i kemi mbajtur si këshill i fshatit ju keni parashtruar kërkesa të shumta, dhe sot me qenë se këtu i kemi prezent përfaqësuesit nga komuna, ju keni mundësi të parashtroni kërkesat tuaj. “ u shpreh Ramushi i cili njëherit ka kryesuar këtë takim.
Ndërkaq Mensur Emini, banor nga ky lokalitet falënderoj komunën e Vitisë për investimet që i ka bërë në këtë fshat konkretisht në asfaltimin e rrugëve brenda lagjeve por parashtroi nevojën për trotuare në veçanti për sigurinë e nxënësve.
Ndërkaq banorët e Vërbanit u pajtuan se prioritet për investime në këtë fshat mbetet sigurimi i ujit të pijshëm por që edhe të investohet në infrastrukturën rrugore, rregullimin e trotuareve, ndriçimit publik por edhe rregullimin e rrugëve bujqësore që përveç që mund të shërbejnë që fermerët të kenë më të lehtë kyçën në parcelat e tyre por edhe të lidhin fshatrat tjera me Vërbanin. /2L ONLINE/