/2L ONLINE/ – Drejtuesit e institucioneve komunale të komunës së Vitisë, kanë vazhduar me mbajtjen e takimeve publike me qytetarë, ku në radhë ishin fshatrat Sllatinë e Epërme dhe e Poshtme. Hasan Aliu , zv.kryetar i komunës së Vitisë, duke folur rreth rëndësisë së takimeve për planifikimin e buxhetit komunal, ka thënë gjithashtu se këto debate kanë për qellim rritjen e transparencës së komunës në planifikimin e buxhetit , për çka komuna e Vitisë, vitin e kaluar ishte shpallur si komuna më transparente në nivel vendi .
“ Vitin e kaluar kemi mbajtur 20 dëgjime buxhetore me qytetar dhe grupe të ndryshme interesi , kurse këtë vit planifikojmë të organizojmë 24 debate me qytetarë , pasi këto debate pos që ndikojnë në ngritjen e transparencës edhe janë me interes të veçantë, pasi që komuna nga afër dëgjon nevojat e qytetarëve për investime kapitale “ , ka thënë Aliu , para qytetarëve në Sllatinë të Epërme .
Ai ka theksuar se qeveria komunale e udhëhequr nga Sokol Haliti, është e përkushtuar që me mjetet e dedikuara për investimet kapitale, të realizoj të gjitha projektet e domosdoshme për qytetarë.
Kurse Naim Pira, kryesues i kuvendit komunal, ka thënë se organi që drejton ai është i gatshëm të diskutojë të gjitha projektet e propozuara nga qytetarët dhe në bashkëpunim me qeverinë komunale ti miratoj ato .
E Ibrahim Rama, drejtor për ekonomi e financa, ka thënë se në vitin 2017, komuna e Vitisë do të ketë një buxhet prej 10 milion e 19 mijë euro , prej të cilave 89 % janë grande qeveritare dhe 11% të hyra vetanake .
“Nga kjo shumë e buxhetit, 1 milion e 700 mijë euro janë planifikuar për investime kapitale , të cilat mjete komuna do të mundohet ti shpërndaj në mënyre sa më të drejtë “ ka thënë ai.
Rama gjithashtu ka theksuar se në rritjen e shumës për investime kapitale , mund te kontribuojnë edhe vetë qytetarët, të cilët duke paguar tatimin në pronë, mund jo vetëm të shlyejnë borxhet e tyre, por të ndihmojnë edhe në tërheqjen e rreth 900 mije eurove që do të dedikohen për investime kapitale.
Banorët e fshatrave Sllatinë e Epërme dhe e Poshtme, pasi kanë falënderuar për investimet e deritanishme në këto lokalitete, kanë kërkuar nga drejtuesit e komunës edhe realizimin e projekteve tjera siç janë : Rregullimi i trotuareve edhe ndriçimit publik , shtrimi i rrugëve të arave me zhavorr , zgjidhja e problemit të ujërave të zeza etj. /2L ONLINE/