/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Drejtori për Arsim, Qahil Sinani kanë pritur sot në takim bashkatdhetarët tanë nga Zvicra, që kanë mundësuar rivitalizimin e objektit shkollor në fshatin Debelldeh. Ky objekt shkollor po rivitalizohet me mjetet të cilat i kanë grumbulluar vajzat: Tevide Maliqi, Blerta Suka si dhe Besarta Hyseni në kuadër të projektit të maturës të cilat i kanë marrë ato në Kolegjin Sismondi të shtetit Zviceran.
Gjatë këtij takimi Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Drejtori për Arsim, Qahil Sinani i ka falënderuar vajzat për projektin që janë duke e realizuar ato në objektin e shkollës fillore në Debelldeh të Vitisë.
“Me lejoni që të ju falënderoj juve për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për nxënësit e fshatit të Debelldehut. Rivitalizimi i kësaj shkolle sigurisht se do të mbete gjatë në kujtesën tuaj sepse jam i sigurt se kur keni vendosur të investonin në një objekt shkollor ju keni qenë të vedijëshem se investimi në shkollë është investim në të ardhmen. “ u shpreh Haliti.
Ndërkaq Tevide Maliqi nga Presheva, tha se ato kur e kanë zgjedhur projektin e maturës kanë dashur të investojnë në fushën e edukimit dhe arsimit me qëllim që të krijojnë kushte sa më të mira për mësimdhënie dhe mësim nxënie dhe atë në atdheun e tyre Kosovën.
E Blerta Suka nga Suhareka tregoj për mënyrën se si ato kanë grumbulluar mjetet financiare për realizimin e këtij projekti në Debelldeh ku ndër to përmendi se paratë janë grumbulluar përmes aktiviteteve të ndryshme si: shitja e ëmbëlsirave në vendet publike, organizimi i një koncerti humanitar por edhe donacionet që janë dhënë nga komunat brenda kantonit të Gjenevës së Zvicrës por edhe të ndërmarrjeve të ndryshme.
Vajzat Tevide Maliqi, Blerta Suka si dhe Besarta Hyseni bënë me dije se një kontribut të veçantë ka dhënë qendra e Gjenevës ( Ville de Geneve) e cila sipas tyre për këtë projekt ka ndarë 3000 franga zvicerane ndërkaq nga ndërmarrjet ato veçuan kontributin e kompanisë “ Orllati”.
Kurse Besarta Iseni nga Begunca e Vitisë, tha se ajo me shoqet e saj po ndihen shumë krenare që patën mundësinë që të realizojnë këtë projekt në Debelldeh të Vitisë duke potencuar se për një periudhë 9 mujore ato kanë arritur të inkasojnë rreth 20 mijë franga zvicerane. Në fund të këtij takimi Kryetari Haliti dhe Drejtori Sinani ndanë një mirënjohje të përbashkët për vajzat. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Samet Iseni i cili i ka mbështetur këto vajza në realizimin e këtij projekti. /2L ONLINE/