(2L ONLINE) – Në kuadër të kujdesit për fermerët dhe në përgjithësi për sektorin e Bujqësisë, Komuna e Gjilanit i ka ofruar sot mbështetje maksimale me të gjitha kapacitetet e saj fermerit të ri nga Velekinca, Ilir Kopranit.
Drejtori i Bujqësisë Ramiz Ramadani gjatë vizitës së sotme në këtë fermë u shpreh i impresionuar me investimet që ka parë në këtë fermë me kapacitetet prej 44 krerë lopësh, e cila është bërë sipas standardeve europiane.
“Meqë jemi në prag të skemës së aplikimeve të granteve në Ministrinë e Bujqësisë, kemi pasur kërkesë për mbështetje nga ky fermer, kemi parë se është një investim jashtëzakonisht i madh në mënyrë vetanake që e ka bërë dhe thjeshtë sot jemi këtu për ta parë se cila është mundësia e mbështetjes që duhet t’i bëhet kësaj ferme”.
“Jemi të fascinuar me këtë që e kemi parë. Ambienti, investimi dhe gjithçka tjetër është e nivelit të duhur dhe ne si drejtori do të angazhojmë stafin tonë për përgatitje të projektit ose të gjetjes të mundësisë dhe mbështetjes edhe në programin e Drejtorisë së Bujqësisë, por mbi të gjitha në skemën e granteve të Ministrisë së Bujqësisë”, u shpreh drejtori Ramiz Ramadani.
Përfaqësuesi i kësaj ferme, Fadil Mehmeti, ka falënderuar drejtorin Ramadani për vizitën dhe mbështetjen e ofruar nga Komuna e Gjilanit.
“Deri tash ne kemi punuar me forcat e tona, nuk do të ndalemi, por është i mirëseardhur një bashkëpunim, një inkurajim dhe një mbështetje nga Komuna dhe Qeveria sepse kemi nevojë për këtë, sidomos kur bëhet fjalë për një fermer të ri. Shpresoj edhe në trajnimet e radhës që do t’i caktoj Komuna dhe Ministria”, tha Mehmeti.
Para pak ditësh është hapur zyra për shërbime këshillimore për ata që do të aplikojnë për subvencione dhe grante dhe z. Fadil Mehmeti do të jetë një nga ata fermerët që do të këshillohet në këtë pjesë, por esenciale është që mbështetja e kësaj ferme t’i bëhet me mekanizim dhe me sistemin e mbyllur të mjeljes.
Ndryshe, drejtori i Bujqësisë ka vizituar sot edhe fermën e Verdi Rexhepit në fshatin Velekincë dhe atë të Emërlla Ajetit në fshatin Kosaqë, të cilëve ua shprehi zotimin për mbështetje komunale. /2L ONLINE/