(2L ONLINE) – Komiteti për Shërbime Publike, Mbrojte dhe Shpëtim (KSHPMSH) është njoftuar të premten, në takimin e parë për këtë vit, të udhëhequr nga kryesuesi Isa Agushi, me mënyrën e re të menaxhimit të objekteve të banimit kolektiv, përgatitjet për transportin urban dhe periferik, me planin e punës së Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, vlerësimin e rrezikshmërisë nga zjarret si dhe numrin e intervenimeve gjatë vitit 2014, sikurse edhe për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve dhe gjendjen e tyre, si dhe ka shqyrtuar një kërkesë të banorëve të rrugës “Isa Boletini” për lëvizje në të dy kahet.
Sokol Haziri, drejtor për Shërbime Publike, tha se Gjilani është komuna e parë në Kosovë që ka filluar me zbatimin e ligjit për ndërtesat e banimit kolektiv dhe tashmë e ka formuar shoqatën e parë të bashkëpronarëve në objektin 13 katësh dhe do të vazhdojë edhe më të tjerat.
Sa i përket transportit urban dhe periferik, Haziri tha se projekti është i gatshëm, por duhet të miratohet edhe rregullorja për transportin e udhëtarëve, e cila është në proces të hartimit dhe pastaj do t`i nënshtrohet edhe diskutimit publik dhe procedurave tjera, deri në miratim nga Kuvendi Komunal. Enver Biçku, zyrtar për komunikacion, ka dhënë sqarime shtesë në lidhje me projekt-rregulloren si dhe projektin për transportin publik urban dhe periferik.
KSHMSH ka aprovuar edhe Planin e punës së Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilin e ka prezantuar drejtori Halit Rexhepi. Duke i nënvizuar problemet më të shpeshta me të cilat përballet kjo drejtori, Rexhepi ka thënë se Shërbimi Zjarrfikës punon me automjete të vjetra, të cilat mund të ndodh të mbeten në rrugë kur nisen për të intervenuar në ndonjë rast.
Rexhepi ka kërkuar më shumë përkujdesje për shërbimet profesionale, sikurse janë edhe zjarrfikësit, të cilët të parët duhet të përballen me fatkeqësitë, për të shpëtuar jetën e qytetarëve dhe për të mbrojtur pronën dhe pasurinë private e publike.
Sa u përket zjarreve, Rexhepi tha se numri i tyre vjet ka qenë më i vogël, 277 gjithsej, por jemi ballafaquar me vërshime, ka thënë ai.
Isa Agushi, kryesues i KSHMSH tha se e ka ngritur këtë çështje, por buxheti i kufizuar që kanë komunat, është problemi kryesor për të blerë automjete dhe pajisje tjera të reja. “Në Kosovë, për fat të keq, për zjarrfikësit kujtohemi vetë atëherë kur ballafaqohemi me situata emergjente”, ka thënë Agushi.
Sa i përket kërkesës së banorëve të rrugës “Isa Boletini”, KSHPMSH e ka autorizuar drejtorinë përkatëse që me ekspertët e saj të analizojë gjendjen në këtë rrugë dhe të japë mendimin e saj nëse kjo rrugë mund të lirohet për lëvizje në të dy drejtimet.
Rexhepi tha se lejimi i qarkullimit në dy drejtime, mund të vështirësojë punën e zjarrfikësve dhe të vonojë reagimin e tyre, në rastet emergjente, meqë dihet se ky shërbim gjendet pikërisht në këtë rrugë.
Kurse sa i përket mirëmbajtjes dimërore të rrugëve, Haziri tha se të gjitha rrugët janë të kalueshme, por nuk ishte shumë i kënaqur me kompanitë, duke thënë se ato nuk po u rrinë gati punëve për të cilat janë kontraktuar, ashti siç duhet. /2L ONLINE/
/foto Isa Agushi/