(2L ONLINE) – Komiteti për Komunitete ka miratuar të mërkurën raportin e punës së Zyrës për Komunitete dhe Kthim, për periudhën tetor-dhjetor 2014, të cilin e ka prezantuar Ruzhdi Rashiti. Zyra për Komunitete dhe Kthim ka vazhduar të punojë në procesin e kthimit, riatdhesimit dhe ndihmës për këto familje dhe persona dhe komunitetet, në përgjithësi.
Kemi kryer edhe vizita në terren te familjet e kthyera dhe kemi evidentuar nevojat e tyre për asistencë, të cilat i përcjellin në Ministrinë për Kthim, sikurse edhe kërkesat që kanë të bëjnë me ndërtimin e shtëpive, plan-biznese dhe të tjera. Verifikimin e bënë komisioni i Ministrisë, ka thënë Rashiti.
Po ashtu, ZKK viziton edhe personat e zhvendosur në Maqedoni e Serbi, për të parë interesimin e tyre për kthim. Te disa raste, problem për ndërtimin e shtëpive, është mungesa e pronave, ka thënë Rashiti.
Ndërkaq, sa i përket riatdhesimit, në këtë periudhë janë kthyer në mënyrë të vullnetshme, ose të detyrueshme 11 familje me 33 anëtarë si dhe 19 persona dhe shumica e tyre janë shqiptarë.
Ruzhdi Rashiti dhe Elez Kurteshi, zyrtar në ZKK, janë përgjigjur edhe në pyetjet e anëtarëve të Komitetit, Ibish Ibishi, Bardhyl Kadriu, Shefik Surdulli dhe të tjerë, duke thënë se Komuna nuk ka implikime buxhetore në projektet për ndërtimin e shtëpive, por ato realizohen në bashkëpunim me Ministrinë për Kthim dhe partnerët tjerë.
Kemal Shahin, kryesues i Komitetit, tha se më herët i kanë vizituar të zhvendosurit rom në Bujanoc dhe Kumanovë dhe 70 për qind prej tyre janë shprehur të gatshëm të kthehen. Sipas tij, komuniteti rom është anashkaluar nga Ministria e Kthimit, në këto projekte.
Përndryshe, Komiteti i ka dhënë mbështetje ZKK-së, duke kërkuar prej saj që të vazhdojë me këtë ritëm pune në shërbim të qytetarëve.
Shahin ka thënë se Komiteti ka planifikuar që në shkurt të realizojë një takim pune në Durrës të Shqipërisë. /2L ONLINE/