Gjilan – (2LONLINE) – Komiteti për Komunitete e ka përmbyllur të hënën mandatin e tij katërvjeçar, duke vlerësuar frymën bashkëpunuese dhe të mirëkuptimit që ka mbretëruar në këtë trupë të vendimmarrjes komunale, ku përfaqësohen të gjitha komunitetet që jetojnë në Gjilan.
“Të gjithë së bashku e kemi bërë atë që kemi mundur për të mirën e të gjithë qytetarëve të komunës së Gjilanit”, ka thënë Kemajl Shahin, kryesues i Komitetit. Sipas tij, prioritet i këtij Komiteti ka qenë kontakti me qytetarë në lokalitetet ku jetojnë ata. “Nëse qytetarit i ofrohesh te shtëpia e tij për të dëgjuar hallin që ka, atëherë zemërimi i tij zbutet menjëherë”, ka thënë Shahin.
Edhe anëtarët tjerë janë shprehur të kënaqur me punën që ka bërë Komiteti për Komunitete, ku prioritet ka qenë interesi i qytetarëve, të cilët janë takuar gjithmonë në terren, për t`iu dhënë mundësinë që t`i shprehin të gjitha nevojat dhe shqetësimet e tyre.
Fadil Gashi (AAK), tha se edhe përfaqësuesit e komunitetit serb janë treguar mjaft bashkëpunues dhe kanë reaguar në vijën e qytetarisë kosovare. Ai kërkoi më shumë përkujdesje në të ardhmen ndaj komunitetit rom, i cili jeton në kushte më të vështira se të tjerët.
Pjesë e këtij Komiteti kanë qenë edhe kritikat, sidomos ndaj Zyrës për Kthim dhe Komunitete (ZKK), por siç tha Bardhyl Kadriu (LDK), ato janë bërë për interesa të punës. Kadriu tha se po e përfundon mandatin në këtë trupë komunale, me dyshimin se në ZKK ka pasur keqpërdorime, meqë ish-shefi i saj nuk ka dashur të raportojë asnjëherë në këtë Komitet.
Kurse Enver Kadriu (PDK) tha se edhe komunitet, edhe opozita kanë qenë konstruktive në Komitetin për Komunitete.
Ndërkaq, Tomisllav Naskoviq, Zvonko Tasiq e Galip Hiseni kanë thënë se ky bashkëpunim është i nevojshëm për ndërtimin e mëtutjeshëm të shoqërisë kosovare. “Në këto tri vite kemi punuar si një familje dhe në këtë frymë duhet të vazhdojnë edhe ata që do vijnë pas nesh”, ka thënë Tasiq. /2lonline/