Gjilan – (2LONLINE) – Edhe Komiteti i Arsimit i ka dhënë fund agjendës katërvjeçare të punës në përbërjen e tashme, duke vlerësuar se gjatë kësaj periudhe e ka ndihmuar vendimmarrjen komunale me rekomandime të ndryshme nga fusha e arsimit.
Shkëlqim Latifi, kryesues i Komitetit të Arsimit, u shpreh i bindur se kjo trupë komunale ka bërë një punë të mirë në fushën e arsimit, duke rikujtuar se është Komiteti që ka bërë ndoshta numrin më të rekomandimeve për asamble komunale.
Duke folur për sfidat, ai ka përmendur zvarritjet në emërtimin e disa shkollave, rregulloren për masa disiplinore, propozimin për heqjen e shpenzimeve të rrugës për mësimdhënës dhe të tjera, me të cilat duhet të merret përbërja e re e Komitetit.
Rregulloren për masa disiplinore, edhe Saranda Bllaca (LDK), e cilësoi “problematike”, sepse nuk i saktëson masat që mund të ndërmerren ndaj një nxënësi që problematik. “Unë nuk pranoj që të punoj më me këtë rregullore”, ka thënë Bllaca, njëherësh, anëtare e komisionit. Ajo bëri vërejtje edhe për ekskursionin nxënësve të gjimnazit, duke thënë se është planifikuar që të realizohet në kohën e Bajramit.
Ajtene Shqhiqi (AAK), Rashit Sahiti (LDK) e Shukrije Rapuca (PDK), thanë se ky Komitet ka mundur të shërbejë së model i mirë pune edhe për Kuvendin Komunal, sepse karakterizohet nga harmonia në rekomandime, pavarësisht dallimeve në diskutime.
Bahrije Veseli (LDK) ka thënë se drejtorët e shkollave kanë filluar një presion ndaj kandidateve femra që garojnë për asamble komunale. Të njëjtin shqetësim, por në raportin mësimdhënës-nxënës e ka shprehur edhe Saranda Bllaca, e cila ka thënë se kandidatët e nominuar për zgjedhje po bëjnë fushatë në shkolla me nxënësit e tyre. /2LONLINE/