(2L ONLINE) – Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi u ka dhënë përkrahje Komiteteve profesionale, si trupa ndihmëse të organit të vendimmarrës, duke i inkurajuar kryesuesit e tyre që të vazhdojnë me këtë ritëm punë, duke shqyrtuar dhe rekomanduar kërkesat e qytetarëve në procedura të mëtejme.
Falë punës së Komiteteve, të cilat janë një lloj filtri i pushtetit komunal, ne kemi mundur të vendosim më lehtë për çështje të caktuara në Komitet për Politikë e Financa dhe në Kuvend Komunal, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.
Duke i marrë parasysh disa vërejtje të kryesuesve të Komiteteve në raport me drejtoritë e linjës, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se në takimin e ardhshëm do të ftohen për të marrë pjesë edhe drejtorët komunalë, për të koordinuar sa më mirë raportet e punës ndërmjet ekzekutivit dhe vendimmarrjes.
Kryesuesit e Komiteteve, Arben Mehmeti (Arsimi), Nevzad Rushiti (Gjeodezi, Kadastër, Pronë), Shpresa Kurteshi (Kulturë, Rini, Sport), Isa Agushi (Shërbime Publike) dhe Jehona Hyseni (Zhvillim Ekonomik) kanë raportuar për aktivitetet e vitit 2014, duke thënë se ata u janë përgjigjur çështjeve të iniciuara nga drejtoritë përkatëse si dhe kërkesat e drejtuara nga qytetarët.
Disa prej tyre kishin përshtypjen se ndonjëherë edhe injorohen nga drejtoritë dhe kërkuan që roli dhe rëndësia e tyre të mos zhvlerësohet në asnjë rast.
Përndryshe, përveç Komitetit për Politikë e Financa dhe Komitetit për Komuniteteve, që janë të përhershëm, Kuvendi Komunal ka edhe dhjetë komitete tjera. Komiteti për Bashkëpunim Ndërkufitar, Komiteti për Barazi Gjinore dhe Komiteti Konsultativ i Ekspertëve të Planifikimit Hapësinor, janë trupa të rinj të Kuvendit të Komunës, që janë themeluar tani së voni. /2L ONLINE/