Gjilan – (2LONLINE) – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi e ka vlerësuar stabile dhe të qetë gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit. Kjo frymë jashtëzakonisht e mirë në komunën tonë, është rezultat i një kulture bashkëpunimi që kemi krijuar me komunitetet etnike si dhe me strukturat e sigurisë, ka thënë Omer Daku, kryesues i KKSB-së, njëherësh nënkryetar i Komunës.
Ai tha se edhe dy muajt e verës, korriku e gushti, kur rritet fluksi i qytetarëve, pasi që në këtë kohë vijnë për pushime mërgimtarët, kanë qenë të qetë, derisa administrata është munduar të ofrojë shërbime sa më të mira për ta dhe të gjithë të tjerët që kanë pasur nevojë të drejtohen në sportelet e shërbimit civil.
Edhe nga aspekti policor, siguria në komunën e Gjilanit, u vlerësua e kënaqshme. Kapiteni Remzi Azemi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, tha se siguria është në parametrat e duhur dhe nuk ka asnjë shqetësim për qytetarët.
Sa i përket sigurisë në trafik, Azemi ka thënë se vendosja e semaforëve ta xhamia e madhe, po jep efektin e vetë, ndërkaq ka shprehur brengosjen e policisë për gjendjen te udhëkryqi i rrugës qarkore me rrugën e Prishtinës, që është bërë pikë e zezë sa i përket aksidenteve në trafik.
Ndërkaq, sa i përket sigurisë në nxënësve, në ç`drejtim shtruan pyetje anëtarët e KKSB, Shqipe Kastrati e Florina Zymberi, kapiteni Azemi ka thënë se policia e ka planin e saj operativ dhe është e pranishme te shkollat, sidomos te ato ku rreziku nga automjetet konsiderohet më i lartë, siç janë “Thimi Mitko”, “Selami Halaqi” e “Abaz Ajeti”, sikurse që edhe pranë hapësirave tjera shkollore kujdestarojnë policë me rroba civile, të cilët kujdesen për sigurinë e nxënësve dhe parandalimin e të gjitha dukurive negative, ka thënë Azemi.
Një raport të shkurtër për gjendjen e infrastrukturës rrugore, ndriçimin publik dhe komunikacionin, meqë janë faktorë që reflektojnë në sigurinë e përgjithshme, e ka dhënë Behar Mehmeti, drejtor i Shërbimeve Publike, duke thënë se komuna e Gjilanit e ka hartuar planin e mobilitetit, ku është incizuar gjendja momentale në këta sektorë si dhe ka bërë planet për përmirësimin e saj.
Tashmë janë rregulluar dy udhëkryq, njëri me rreth-rrotullim, te lagja “Iliria” dhe tjetri me semafor, te xhamia e madhe, ndërkaq është gati plani për rregullimin e udhëkryqit që lidh lagjen “Dardania” me rrugën e Prishtinës. Ndërkohë jemi duke pritur nga MEF-i miratimin e kërkesës për shpalljen e partneritetit publiko-privat për trafikun urban.
Po ashtu jemi duke punuar në ridizajnimin e tërësishëm të rrugës nga xhamia e madhe deri te Universiteti Publik i Gjilanit si dhe në rimodelimin rrugës nga xhamia e vogël deri te rreth-rrotullimi në lagjen “Iliria”, ka thënë Mehmeti.
Sa i përket udhëkryqit të identifikuar si pika e zezë nga policia, Mehmeti ka thënë se rruga qarkore është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës.
Në takimin e KKSB kanë marrë pjesë edhe mysafirët nga qyteti Arun i Anglisë, Georgina Bouette dhe Ian Sumnall, të cilët janë shprehur të impresionuar me punën që bën kjo trupë komunale dhe me interesimin e anëtarëve të saj për t`i diskutuar të gjitha shqetësimet e përgjithshme. /2lonline/