Gjilan – (2LONLINE) – Duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, më datën 30.10.2013 Gjykata Themelore në Gjilan, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarii procedurës paraprake, ka caktuar paraburgimin në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj të pandehurit Luan Mustafa kirurg në Spitalin Regjional në Gjilan, për shkak të veprës penale marrje ryshfetit, nga neni 428 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). I pandehuri dyshohet se këtë vepër penale e ka kryer ndaj të dëmtuarve M. O dhe F. O..
Sipas zyrës për informim të Gjykatës Themelore n Gjilan, ndaj të pandehurit Luan Mustafa, nga Gjilani, është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit 28.10.2013 dhe t’i zgjasë deri më datën 28.11.2013, konform dispozitave të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafët 1 dhe 2, pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).
Nga kërkesat e paraqitura dhe nga shkresat e kësaj lënde, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore të parapara në nenin 187 të KPP për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Luan Mustafa. Kështu që në rastin konkret ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, gjë që mund të vërtetohet nga deklarata e të pandehurit, si dhe provat dhe shkresave të tjera të lëndës, arsye kjo e paraparë në nenin 187 paragrafi 1,nënparagrafi 1 i KPP.
Po ashtu duke marrë për bazë natyrën dhe peshën e veprës penale, rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer kjo vepër penale, si dhe faktin se prokurori i shtetit i ka filluar hetimet në këtë çështje penale, atëherë me të vërtet ekziston rreziku real se po që se i pandehuri do të gjendet në liri atëherë do të mund të ndikoj në të dëmtuarin M. O. Dhe F. O., në atë mënyrë që të deklarojnë në favor të mbrojtjes së tij.
Përndryshe, ditë më parë Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Gjilan, gjatë një pune operative – hetimore kishte arrestuar mjekun Luan Mustafa., kirurg nё spitalin rajonal të Gjilanit, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Marrje e Ryshfetit’’.
”I dyshuari i ka kërkuar dhe njëkohësisht i ka pranuar të holla (kesh) në vlerë prej 500€, nё zyrën e tij (qendrën spitalore në Gjilan) nga një qytetar, me qëllim që ta operojë nënën e tij, e cila lëngonte nga një sëmundje në mëlçi. E tërë puna operativo- hetimore është kryer nën mbikëqyrjen e prokurorit kompetent, i cili ndaj të dyshuarit ka lëshuar urdhrin e ndalimit policor për 48 orë”, thuhej në njoftimin e Policisë. /2lonline/