/2L ONLINE/ – Këshilli i punëtorëve i Kompanisë “EcoHigjiena” në Gjilan përmes një njoftimi kanë bërë të ditur se që nga e mërkura janë duke protestuar dhe për këtë edhe nuk janë kryer shërbimet, për çka kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe klienteles.
Në këtë njoftim të këtij këshilli thuhet tutje se:
Këshilli i punëtorëve dhe punëtorët kërkojnë mirëkuptim nga qytetaret për situatën e krijuar me mbeturinat në qytet dhe ju njoftojmë se që nga dita e Mërkurë ne jemi në protestë dhe për këtë arsye nuk janë kryer shërbimet ndaj klientëve.
Arsyeja e kësaj proteste është largimi i këtij menaxhmeti që është i përfaqësuar nga partneri privat,që kanë e krijuar këtë situatë dhe keqmenaxhimin e kompanisë,të njëjtit po mundohen ta uzurpojnë këtë kompani publike,persona të cilët janë të ndjekur nga organet e drejtësisë për keqpërdorimet që i kanë bërë kësaj kompanie.
Ju bëjmë thirrje partive politike që mos të mundohen ta politizojnë problemin ngase fajtorë për situatën e krijuar në këtë kompani jeni pikërisht ju partitë politike që e keni bërë këtë partneritet publiko-privat në vitin 2012 që ka rezultuar i dëmshëm për punëtoret, Kompaninë dhe Komunën.
Kryetari dhe organet komunale janë duke punuar në zgjidhjen e problemeve të cilat do të rezultojnë në daljen prej situatës së krijuar nga menaxhmeti i papërgjegjshëm i cili me qëllime të caktuar po zhvendosë vëmendjen përmes largimit të punëtorëve, sepse ky partner që thirret si investitor i huaj nuk ka investuar fare dhe as qe diskutohet për investim.
Protesta do të vazhdojë dhe ne kërkojmë respektim në përpikëri marrëveshjes së Kryetarit të Komunës z. Lutfi Haziri të arritur më datë 20.11.2016 me partnerin privat.
Ne si këshill i punëtorëve nuk mbajmë përgjegjësi për situatën e krijuar dhe veprimet individuale të qytetarëve sepse jemi duke luftuar për të drejtat tona të cilat janë përdhosur nga partneri privat dhe lusim edhe njëherë qytetarët që të jenë të durueshëm dhe të mos hedhin mbeturina aty ku nuk është vendi. Pra edhe nga ju kërkojmë vetëpërmbajtje sikur ne që kemi duruar që nga viti 2012.
Këshilli i Punëtoreve “EcoHigjiena”
fotoilustruese