(2L ONLINE) – Në mbledhjen parë të rregullt të Këshillit të Drejtorëve në komunën e Vitisë është diskutuar dhe shqyrtuar rreth Propozim Rregullores për ndarjen e bursave për studentët e Komunës së Vitisë dhe rreth propozim vendimit për shpalljen me interes publik të disa parcelave për ndërtimin e shkollës së re në fshatin Beguncë.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu duke folur rreth propozim rregullores për ndarjen e bursave të studentëve vitias tha se kjo komunë e ka parë të arsyeshme që përmes një dokumenti siç është rregullorja të rregullohet çështja e bursave për studentët e kësaj komune duke potencuar se është shumë e rëndësishme që ata të kenë sadopak mbështetjen e komunës përgjatë studimeve.
Ndërkaq Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Qahil Sinani tha se kjo rregullore është bërë për shkak se është parë se ka kërkesa të shumta të studentëve për bursa duke theksuar se disa studentë të kësaj komune me të vërtetë kanë nevojë për mbështetje nga Institucionet Komunale me qëllim që të mos ndërpresin shkollimin.
“Më të vërtetë kemi studentë të mirë në Komunën tonë të cilët kanë nevojë për mbështetje nga ana e Komunës dhe pikërisht për këtë edhe është hartuar kjo rregullore e cila edhe përcakton kriteret e përfituesve të bursave për studentë“ u shpreh Drejtori Sinani.
Ai tha se kjo rregullore do të kalon edhe në diskutim publik ku qytetarët, shoqëria civile e në veçanti studentet mund të paraqesin propozimet e tyre rreth rregullores në fjalë.
Gjithashtu gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për propozim vendimin për shpalljen me interes publik të parcelave kadastrave nr.1008-0, nr. 1009-0, 1012-2 dhe 1013-0 zona kadastrave Beguncë. U.D i Drejtorit të Drejtorisë për Kadastër, Pronë dhe Gjedodezi, Tajar Neziri tha se shpronësimi i këtyre pronave po bëhet pasi që komuna nuk ka prona publike në këtë fshatë dhe se pas shpronësimit në këto parcela parashihet ndërtimi i shkollës së re të fshatit Beguncë dhe atë në një sipërfaqe prej 5180m².
“Siç e dime, komuna jonë, në këtë rast duke përfshirë edhe Zonën Kadastrale Beguncë, nuk janë në gjendje të mirë sa u përket pronave publike, prandaj duke u nisur nga kjo, jemi detyruar që këto pracela, natyrisht me pëlqimin edhe të pronarëve të këtyre parcelave, t’i propozojmë për interes publik dhe pastaj t’i hyjmë procedurës së shpronësimit duke u bazuar në Ligjin Nr.03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, ku objekt i shpronësimit janë të drejtat private pronësore në pronat e paluajtshme.” U shpreh Neziri.
Kompensimi i këtyre pronave sipas Nezirit do të bëhet në bazë të vlerës së tregut të pronës, e cila përcaktohet në përputhje me dispozitat e Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme dhe akteve tjera nënligjore që janë në fuqi./2L ONLINE/