Këshilli për të Drejtat e Njeriut ka organizuar më 22 dhe 23 nëntor, në kompleksin „Rozafa“, në Bujanoc, Konferencën „Integrimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës nën dritën e (mos)implementimit të Marrëveshjeve qeveritare për Luginën e Preshevës“.
Në Konferencë kanë marrë pjesë mbi 150 përfaqësues të organeve republikane, ambasadave dhe zyreve diplomatike, organizatave ndërkombëtare, zyrtarë të institucioneve lokale dhe rajonale nga Nishi, Leskoci, Vranja, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja; si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.
Në Konferencë si diskutues janë paraqitur Ambasadori i Konfederatës Zvicerane për Serbi dhe Mal të Zi, Philippe Guex, Ministrja për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale, Ana Bërnabiq; Kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq; Kryetarët e komunave të Preshevës dhe Bujanocit, Shqiprim Arifi dhe Shaip Kamberi; Deputetët popullor, Nenad Mitroviq (SNS) dhe Fatmir Hasani (PVD); si dhe përfaqsëuesi i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.
Me këtë rast edhe janë prezentuar rezultatet e projektit, përkatësisht problemet dhe rekomandimet, si rezultat i shtatë tryezave në fushat e sigurisë; arsimit; kulturës dhe informimit; shëndetësisë dhe çështjeve sociale; përdorimit zyrtar të shkrimit shqip dhe simboleve kombëtare; gjyqësisë; si dhe të ekonomisë.
Gjatë Konferencës u konstatua rëndësia e vazhdimit të dialogut midis përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe përfaqësuesve shqiptarë, lidhur me implementimin e mëtejmë të marrëveshjeve të arritura për Luginën e Preshevës.
Në ditën e dytë të Konferencës, pjesëmarrësit kanë punuar në shtatë grupe punuese, ku kanë detajizuar rekomandimet për zgjidhjen e problemeve kryesore në shtatë fushat përkatëse. Këto rekomandime do t’i dërgohen ministrive dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, si edhe instancave ndërkombëtare.
Konferenca është realizuar si aktivitet përmbyllës në kuadër të projektit „Forcimi i stabilitetit në Luginën e Preshevës përmes integrimit të pakicës kombëtare shqiptare“. Në kuadër të këtij projekti janë zhvilluar gjithsej shtatë tryeza, shtatë aksione rrugore, analizë kuantitative rreth shkallës së implementimit të tri dokumenteve të Qezverisë së Republikës së Serbisë që kanë të bëjnë më Luginën e Preshevës (Plani dhe Programi për zgjidhjen e krizës në Luginën e Preshevës, njohur si „Plani i Çoviqit“ (2001); Marrëveshja për Riorganizimin e Trubit Bashkërendues të Qeverisë së Republikës së Serbisë (2009); dhe „Plani Shatëpikësh“ (2013); ku në mënyrë precize paraqitet shkalla e integrimit të pakicës kombëtare shqiptare në institutcionet shtetërore.
Projekti ka zgjatur një vjet dhe është mbështetur nga ana e Ministrisë për Punë të Jashtme të Konfederatës Zvicerane.