/2L ONLINE/ – Në Ballancë dhe Skifteraj, janë mbajtur mbrëmë debatet publike lidhur me planifikimin e buxhetit komunal për vitin 2017-2019, me që rast banorët e këtyre dy lokaliteteve u njoftuan rreth procesit të hartimit të buxhetit komunal për vitet në vijim, duke kërkuar nga ata të jenë pjesë e këtij procesi shumë të rëndësishëm.
Zv. kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu , duke folur rreth rëndësisë së takimeve për planifikimin e buxhetit komunal, ka thënë gjithashtu se këto debate kanë për qellim rritjen e transparencës së komunës në planifikimin e buxhetit , për çka komuna e Vitisë, vitin e kaluar ishte shpallur si komuna më transparente në nivel vendi .
“Vitin e kaluar kemi mbajtur 20 dëgjime buxhetore me qytetar dhe grupe të ndryshme interesi , kurse këtë vit kemi organizuar 24 debate me qytetarë , pasi këto debate pos që ndikojnë në ngritjen e transparencës edhe janë me interes të veçantë, ngase komuna nga afër dëgjon nevojat e qytetarëve për investime kapitale “ , ka thënë Aliu, para qytetarëve në Ballancë dhe Skifteraj.
Ibrahim Rama drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim e prezantoj buxhetin komunal për vitin 2017 dhe potencoi se buxheti i përgjithshëm është prej 10 milion e 19 mijë euro, prej të cilave 8 milion e 891 mijë janë grand qeveritar, ndërsa 1 milion e 6 mijë e 695 euro të hyra vetanake.
“Edhe pse kërkesat dhe nevojat janë shumë më të mëdha , megjithatë buxheti i dedikuar për investime kapitale në shumë prej mbi 1 milion e 700 mijë euro do të ndikoi në përmirësimin e infrastrukturës dhe jetës së qytetarëve”, ka thënë Rama.
Në Ballancë, banorët si prioritet paraqitën ndërtimin e rrjetit të kanalizimit, ndërkohë që këshilli i fshatit përmes kryetarit të këtij këshilli Hetem Kurteshi, ka prezantuar listën prej 11 projektesh që ka nevojë fshati, duke përfshirë edhe problemin e ujësjellësit, , asfaltimin e rrugicave brenda fshatit, riparimin e rrjetit elektrik, rregullimin e fushës sportive etj.
Në këtë takim nga ana e banorëve pati edhe lavdata për punët që janë bërë nga institucionet, kurse si problem që ata e shtruan dhe i kërkuan komunës që të i mbështes, ishte mos menaxhimi i tërësishëm me mbeturinat në fshat nga ana e kompanisë rajonale “Eco Higjiena”.
Edhe në Skifteraj banorët kanë paraqitur kërkesat e tyre, duke i identifikuar si problem që ka nevojë fshati. Ndër to ishte ri funksionalizimi i ujësjellësit dhe i shtrirjes së kanalizimit në të gjithë fshatin.
Kryetari i këshillit të fshatit Skifteraj Demush Sadiku, ka prezantuar disa nga projektet prioritare për vitet në vazhdim, duke kërkuar edhe realizimin e projektit për ndërtimin e trotuarit në tërë gjatësinë e rrugës kryesore të fshatit, sistemimi i mbeturinave në tërë fshatin, por edhe projekte të tjera të nevojshme.
Drejtori i Financave dhe zhvillimit ekonomik Ibrahim Rama, ka njoftuar se muajin e ardhshëm mund të filloj rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit nga CDF në Skifteraj, në kuadër të projektit për ri funksionalizimin e ujësjellësit nëpër shumë fshatra. /2L ONLINE/