Boksieri nga Gostivari që garon për Shqipërinë, Nuri Seferi rimori titullin Kampion Evrope në kategorinë WBO pasi mundi me pikë hungarezin Tamas Lodin.
Edhe pse pas çdo titulli të fituar prej tij ngrihet flamuri kuqezi dhe këndohet himni shqiptar, 37-vjeçari ende nuk ka marrë përgjigje pozitive nga institucionet tona për t’u pajisur me nënshtetësinë shqiptare.
“Të jem i sinqertë kam bërë kërkesa, por fatkeqësisht kanë hasur në vesh të shurdhër dhe tani kam arritur të identifikohem si shtetas shqiptar në arenën ndërkombëtare, edhe pse nuk zotëroj pasaportën, edhe pse nuk më prish punë fare. Unë e bëj punën time, kam misionin tim, të ngre vlerat e kombit shqiptar, shtetit shqiptar”, thotë Kampioni, transmeton ‘tch’.
Nuri Seferi ka në karrierën e tij 36 fitore, 20 prej të cilave me nokaut. Shqiptari pa nënshtetësi shqiptare njihet në ringjet botërore me nofkën “Albanian Tyson”, ose ndryshe “Tajsoni shqiptar”.
“Këtë nofkë e kam marrë nga tifozët. Në fillim nuk më ka pëlqyer, por është e vërtetë q ë e majta është arma ime kryesore dhe ndoshta dyluftimi ka ngjashmëri”, shton Nuri Seferi.
Pas fitimit te titullit kampion, Seferi është pritur nga kreu i parlamentit Ilir Meta dhe Ministrja e Sportit Lindita Nikolla, të cilët kanë shprehur gatishmërinë që ta mbështesin kampionin për të realizuar ëndrrën e tij, të zhvillojë një ndeshje të madhe në Tiranë.
“Besoj që këtë herë ka bërë më shumë jehonë dhe shpresoj që ndeshjen e radhës të madhe ta zhvilloj në Tiranë”, deklaron ai.
“Jemi ne që kemi nevojë për Nuriun, jo Nuriu për ne. Dëshira jonë e vetme do të ishte që të paktën ta kishim dhe këtu gjithë shqiptaria të festonte në Tiranë një fitore të tij”, thotë Gentian Rrugia, përfaqësues i Tifozave Kuqezi.