(2L ONLINE) – Arsimorët kërkojnë përmirësimin e kritereve për regjistrim të fëmijëve në klasë të parë, ndryshimin e formës së tashme të ekskursioneve si dhe ndalimin e kafiterive afër shkollave
Komiteti i Arsimit në Gjilan, përveç problemit të shkollës së Bujqësisë, ku ka rekomanduar disa zgjidhje konkrete për të rritur numrin e nxënësve në klasat e dhjeta, në takimin e fundit të tij, është marrë edhe disa çështje tjera të rëndësishme të fushës së arsimit.
Sa i përket kritereve për regjistrimin e nxënësve në klasë të parë, Komiteti ka vendosur që të hapet një diskutim në lidhje me këtë çështje dhe pastaj të dërgohen edhe propozime konkrete nga anëtarët e kësaj trupe të arsimit, Drejtoria e Arsimit dhe faktorët tjerë relevantë të kësaj fushe, me qëllim që të hartohen kritere profesionale, jo diskriminuese dhe në interes të nxënësve, ka thënë Arben Mehmeti, kryesues i KA.
Në ndërkohë, në një mbledhje të radhës, të veçantë, Komiteti i Arsimit do të rekomandojë për Kuvend Komunal aprovimin e këtyre kritereve, që janë me rëndësi për fushën e arsimit e posaçërisht për nxënësit të cilët për herë të parë ulen në bankat shkollore.
Mehmeti ka thënë se Komiteti sugjeroi që në këtë aspekt të merren përvoja të ndryshme nga shtetet e zhvilluara e që e kanë rregulluar këtë fushë në formën më të mirë.
Ndër vendimet tjera shumë të rëndësishme të KA, është edhe rekomandimi që ka të bëjë me organizimin e ekskursioneve të nxënësve të shkollave të mesme.
Ishte mendim i përgjithshëm i anëtarëve të Komitetit të Arsimit që forma aktuale e organizimit të ekskursioneve, është jo e mirë dhe e dëmshme për nxënësit. Në kuadër të këtij shqetësimi, është rekomanduar që Kuvendi Komunal të marrë vendimin për ndërprerjen e organizimit të ekskursioneve deri në hartimin e disa kritereve tjera, për të rregulluar ndryshe këtë formë të aktiviteteve jashtëshkollore, ka thënë Mehmeti.
Në ndërkohë, Komiteti i Arsimit, Drejtoria e Arsimit, Këshilli i Prindërve dhe faktorë të tjerë relevant do t`i propozojnë Kuvendit kriteret për aprovim, që do të jenë me fuqi ligjore në organizimin e këtyre aktiviteteve.
Në çështje tjetër me shumë rëndësi, me të cilën u mor Komiteti i Arsimit, ishte edhe problemi i kafiterive në kompleksin e shkollave të mesme, që po dëmtojnë procesin mësimor.
Në funksion të ndërmarrjes së veprimeve që mbrojnë interesin e nxënësve, KA rekomandoi që Kuvendi Komunal të shqyrtojë mundësinë e zhvendosjes së këtyre lokaleve afariste (kafiterive) jashtë kompleksit të shkollave dhe po ashtu të shqyrtohet mundësia e kufizimit të orarit të punës së tyre gjatë kohës sa zhvillohet procesi mësimor.
Po ashtu u kërkua që Kuvendi i Kosovës të amendamentojë ligjin mbi arsimin dhe në kuadër të këtij amendamenti të parashihet, respektivisht t`iu ndalohet kafiterive veprimtaria në një afërsi të caktuar me shkollat, që të paktën duhet të jetë 500 metra.
Po ashtu Komiteti i Arsimit i rekomandoi Kuvendit Komunal dhe Kryetarit të Komunës që të shikojnë mundësinë që në vitin 2015 të mbështesin financiarisht dy studentë të kësaj komune, njëri në Turqi dhe tjetra në Kanada. /2L ONLINE/