/2L ONLINE/ – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, ka pritur në një takim falënderues shoqatën Rumanienhilfe Gunskirchen e cila kryesohej nga Hermann Hochreiter të cilët gjatë vikendit në Gjilan kanë sjellë një kontingjent të ndihmave për Handikos-IN, Kryqin e Kuq dhe Spitalin Regjional të Gjilanit, ndihma të cilat janë shumë të nevojshme për këto institucione dhe për qytetarët e Gjilanit në përgjithësi.
Me këtë rast, nënkryetari Kadriu, ka thënë se ndihma të kësaj natyre janë shumë të mirëseardhura për Gjilanin dhe qytetarët tanë, ndërsa misioni i kësaj shoqate është i një rëndësie shumë të veçantë, sepse u del në ndihmë një kategorie të gjerë të njerëzve nëpër botë sikur që janë pacientët, personat me nevoja të veçanta dhe personave me gjendje të rëndë ekonomiko – sociale.
“Misioni i Rumanienhilfe Gunskirchen dhe i Hermann Hochreiter, me bashkëpunëtorët e tij është i një rëndësie shumë të veçantë. Ndihma për kategoritë e personave me nevoja të veçanta, i pacientëve, i personave me gjendje të rëndë ekonomiko – sociale të cilët kanë mungesë të veshmbathjes, dëshmon për ndjenjën e fuqishme të solidaritetit që bashkë – ndjehet mes kësaj shoqate dhe qytetarëve të këtyre kategorive, kudo në Europë. Gjilani është falënderues dhe mirënjohës, për këto ndihma, urojmë që kjo iniciativë gjatë të ardhmes të jetë përherë e më e fortë dhe gjithnjë në funksion të mbështetjes për persona të cilët kanë nevojë”, tha ndër të tjerash Kadriu.
Ndërsa, Hermann Hochreiter, kryetar i shoqatës ka falënderuar Gjilanin për mikpritjen dhe për vlerësimin e këtij donacioni. Ai tha se në asnjë moment nuk do të ndalen në misionin e tyre sepse nevojat e njerëzve në Kosovë dhe shtetet tjera, presin mbështetjen nga jashtë dhe një pjesë e mbështetjes është edhe shoqata Rumanienhilfe Gunskirchen që bashkëpunon ngushtë me shoqatën Hilfsprojekt Konigsfeld Deutsch Mokra./2L ONLINE/