/2L ONLINE/ – Ditë më parë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe Institutit për tekste shkollore kanë nënshkruar marrëveshje për sigurimin e teksteve mësimore që mungojnë në gjuhën shqipe.
Por, Kushtrim Kadriu, kryetar I Lëvizjes Vatra, shprehet për Portalin 2LONLINE, se kjo marrëveshje nuk do të jetë në dobi të shqiptarëve, përkatësisht nxënësve shqiptarë. Ai shpreh dyshimin e tij se nëse i lejohet Serbisë t’i bëjë tekstet shqip, ato nuk do të mund të jenë të mira për shqiptarët.
“Nëse i lejohet Serbisë t’i bëjë tekstet tona, dyshoj se ato do të jenë tekste të mira dhe dyshoj, me të drejtë, në përmbajtjen e atyre teksteve. Do të duhej që tekstet e Kosovës dhe Shqipërisë vetëm të shtypen në Bujanoc e Preshevë dhe të hyjnë në funksion atje”, shprehet Kadriu i Vatrës.
Ai beson që kjo marrëveshje është tendencioze nga ana e Serbisë. “Do të shihet që nxënësve të Luginës do t’u servohen mësime tendencioze me heronj të Serbisë, por se nxënësit tanë nuk do ta durojnë atë gjë”, thotë Kadriu.
Ai thotë tutje se lufta e UÇPMB-së, referendumi dhe të gjitha përpjekjet qytetare janë për bashkim me Kosovë, e si ngjizje e këtij mentaliteti banorët e Luginës e në veçanti të rinjtë, nuk do të mund të pranojnë të mësojnë për heronjtë serbë, e t’i veshët një kulturë e imponuar.
“Qeveria e Kosovës duhet që të bëjë të mundur që gjatë bisedimeve në Bruksel të angazhohet që të mundësohet përdorimi i teksteve nga Kosova e Shqipëria, për nxënësit e Luginës”, ka thënë Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes Vatra. /2L ONLINE/