(2L ONLINE) – Kritikat e opozitës, me theks të veçantë të PDK-së, se institucionet komunale të Gjilanit nuk kanë bërë sa duhet për qytetarët me rastin e vërshimeve të ditëve të fundit edhe në këtë Komunë, nuk i kanë bërë përshtypje nënkryetarit të komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, pasi ai i ka vlerësuar ato kritika qëllim këqija që vijnë nga dhomat e nxehta dhe thashethemet e kafeneve, derisa puna në terren është tregues i qartë për përkushtimin që kanë pas institucionet e komunës me këtë rast.
Kadriu ka thënë se institucionet nuk veprojnë në bazë të kritikave të opozitës, por ato punojnë në bazë të detyrave dhe përgjegjësive që ua përcakton ligji për të qeverisur për qytetarët të cilët ia kanë besuar me votë qeverisjen me komunë. Ai tha se kritikat e opozitës vijnë nga dhomat e nxehta dhe nga thashethemet e kafeneve dhe se nuk kanë të bëjnë me realitet sepse edhe në rastin e vërshimeve të fundit institucionet komunale kanë qenë në gjendje të gatishmërisë dhe kanë vepruar që nga momenti i parë i vërshimeve, edhe atë pa u ndalur.
Kadriu tha se tani po punohet në sanimin e gjendjes sepse nga vërshimet që ndodhen nga shirat që ranë ditë më parë ka qenë i përfshirë edhe territori i komunës së Gjilanit, për shkak të prurjeve të ujit nga lumenjtë dhe prrockat. Ai ka falënderuar Drejtoritë komunale të Shërbimeve Publike, të Bujqësisë e të asaj për Mbrojtje dhe Shpëtim që kanë qenë azhur dhe kanë punuar në vazhdimësi në terren.
Sipas Kadriut, nga vërshimet, kemi pasur dalje të ujit nga shtretërit e lumenjve dhe me këtë kemi pas edhe rrëshqitje të dheut, dëmtime, të urave, të tokës bujqësore, të objekteve biznesore ndërsa, fatmirësisht më pak të shtëpive të banimit. Ai th se institucionet përkatëse kanë vepruar n terren dhe aty ku është dashtë edhe kanë ndërhyrë në evakuim dhe strehim të qytetarëve, siç ka qenë rasti në fshatin Dobërçan, ku nga vërshimet, përkatësisht rrëshqitja e dheut është dëmtuar shtëpia e familjes Sopi, e cila familje është evakuuar dhe strehuar deri sa po punohet në sanimin e gjendjes.
Nënkryetari Kadriu ka shtuar se pas reshjeve të mëdha është ngritur në maksimum niveli i ujit në pendën e Përlepnicës, duke shtuar se kryetari Haziri me ekipin e tij do të bëjë çmos që me anë të ndihmës së qeverisë të ndërtohet një kapërderdhëse.
Ai ka informuar se me vendim të kryetarit janë formuar dy komisione: njëri për vlerësimin e dëmeve dhe tjetri për strategjinë për trajtimin e lumenjve të degraduar
Ai tha se faktori njeri ka ndikuar këtu që të kemi situatë më të renduar për shkak të uzurpimeve, degradimeve të mjedisit, hedhjen e mbeturinave e degradime tjera që kanë ndikuar që të kemi situata të tilla të krijuara në disa pjesë ku lumi ka dalë nga shtrati.
Edhe Halit Rexhepi nga Drejtoria për Mbrojtje e Shpëtim ka thënë se intervenimi ka qenë i menjëhershëm që në ditën që kemi pas të reshura dhe vërshime, të cilat kanë përfshirë pjesën më të madhe të territorit të komunës së Gjilanit.
Ai ka bërë me dije se me kërkesë të qytetarëve kanë intervenuar në më se 30 raste ndërsa falënderoi për bashkëpunim edhe Hidromoravën, për ofrimin e ujit të pijes për ato pjesë ku ka pas nevojë, pastaj EcoHigjienën , Policinë e Kosovës dh të gjithë të tjerë me të cilët kanë bashkëpunuar në intervenim dhe sanim të situatës.
Ai tha se intervenime ka pasur në disa përrocka e lumenj në fshatrat e Karadakut – Zhegër, Lladovë, Nasalë, e Stanqiq, pastaj në Livoq të Ulët, Velekincë, Kuvcë, Shillovë, Përlepnicë, Kmetoc, sikurse edhe në disa raste në qytet.
Sokol Haziri nga Drejtoria për Shërbime Publike ka thënë se situata ka qenë emergjente por jo alarmante dhe se komuna me potencialin e saj ka ndërhyrë aty ku ka pasur nevojë. Ai tha se është punuar edhe në hapjen e disa rrugëve ku për shkak të shembjes së dheut si rrjedhojë e shirave dhe vërshimeve është bllokuar rruga. Ndërsa drejtori i drejtorisë së Bujqësisë tha se fatmirësish dëmet në tokat bujqësore janë minimale por se po punohet me komisione në terren për të evidentuar çdo gjë. /2L ONLINE/