Gjilan – (2LONLINE) – Kryetari i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu, të hënën ka vizituar shkollën e mesme të ekonomisë “Marin Barleti”, me ç’rast ka uruar të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor 2013/14.
“Të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit të shkollës suaj, në emër të të gjithë Aleancës, ju urojmë një vit të mbarë shkollor dhe besojë se me punë dhe angazhim edhe këtë vit do ta tregoni suksesin tuaj si një shkollë e mirë”, ka thënë Kadriu.
Ndërkaq, drejtori i shkollës së mesme të ekonomisë “Marin Barleti” Xhevat Kastrati, ka falënderuar kryetarin Kadriu për vizitën , duke shtuar se shkolla është e gatshme dhe posedon kushte të mira për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Si shkollë jemi e përgatitur për të filluar vitin shkollor, me posedimin e klasave për praktikë profesionale, pajisjen e dy kabineteve për zhvillimin e TIK-ut, sallat e edukatës fizike, meqenëse i mungojnë nxehjet qendrore dhe gjatë dimrit nuk zhvillohen orët”, ka thënë Kastrati.
Sipas zyrtarëve të AAK-së drejtori i kësaj shkolle përmendi mungesën e rregullimit të oborrit të shkollës dhe nevojën për posedimit të ulëseve, mungesë kjo e cila së shpejti do të plotësohet nga vullneti i kryetari Kadriu, i cili deklaroi se do ti dhurojë 10 ulëse si dhe do të kontribuojë në ngjyrosjen e rrethojës së shkollës, në mënyrë që të krijohet sadopak një ambient më mirë për nxënësit.
Kryetari Kadriu, i cili në këtë vizitë u shoqërua edhe nga nënkryetari Selami Xhemajli, nënkryetarja Mevlyde Zejnullahu, sekretari i përgjithshëm Nazim Gagica, anëtari i kryesisë Salih Mustafa dhe kryetari i ARK-së Labinot Hyseni, kanë vizituar ambientin e kësaj shkolle, duke u njohur me kabinetet në të cilat zhvillohet mësimi. /2lonline/