Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin porositi zyrtarët serbë që të mos përzihen në fushatën zgjedhore në Kosovë. Në intervistën për gazetën “Dnevnik”, Kacin tha se nuk është në frymën e marrëveshjes së Brukselit që shteti i Serbisë ta mbështesë një listë të caktuar.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin tha se konferenca ndërqeveritare e Bashkim Evropian – Serbi mund të mbahet në dhjetor, nëse qeveria e Serbisë punon me përkushtim në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Ai përmendi sidomos zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, për të cilat kërkoi që liderët e Serbisë të angazhohen për ngritjen e nivelit të daljes së serbëve në votime.
Ai tha se liderët nga Serbia megjithatë nuk duhet të përfshihen në fushatën e listave të veçanta.
“Votuesit duhet të vendosin se cilën listë do të përkrahin. Mendoj se nuk është në frymën e marrëveshjes së Brukselit që shteti i Serbisë të qëndrojë pas një liste, sepse kjo duket si vazhdim i mbështetjes për të ashtuquajturat struktura paralele, por tani në një formë tjetër”, tha Kacin, në intervistën për “Dnevnikun” e Novi Sadit, të cilës i referohet RTK.
Ai vlerësoi se përmes këmbënguljes në një listë vazhdon politika e ndarjes së bashkësisë serbe, gjë që nuk është në dobi as të asaj bashkësie, e as raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kacin tha se votuesit kanë të drejtë të mbështesin cilëndo nga listat e ofruara.
Raportuesi i Parlamentit Evropian vlerësoi përpjekjet dhe angazhimet e dy kryeministrave, Thaçi e Daçiq në procesin e dialogut dhe tha se nuk frikësohet nga mundësia e ngritjes së tensioneve, në kohën kur ofrohen zgjedhjet lokale.