Gjilan – (2LONLINE) – Duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, më datën 01.11.2013 Gjykata Themelore në Gjilan, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtari i procedurës paraprake, ka caktuar paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj të pandehurve Zhivorad Jovanoviq dhe Nenad Stojkoviq, që të dy nga Parteshi dhe Vitomirka Gavrilloviq nga fshati Kmetoc, për shkak të veprës penale cënimi i përcaktimit të lirë të votuesve nga neni 213 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndaj të pandehurve Zhivorad Jovanoviq dhe Nenad Stojkoviq caktohet paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit 30 tetor dhe do të ju zgjasë deri më datën 30.nëntor, konform dispozitave të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafët 1 dhe 2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).
Ndërsa ndaj të pandehurës Vitomirka Gavrilloviq caktohet masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaji, i cili do të llogaritet nga data 30 tetor deri më datën 30 nëntor.
Kështu që, në rastin konkret ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen, gjë që mund të vërtetohet pjesërisht nga deklaratat e të pandehurve, kërkesa e prokurorit të shtetit, si dhe provave dhe shkresave të tjera të lëndës, arsye këto të paraparë në nenin 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1 të KPP dhe nenit 183 paragrafi 1, pika 1.1 të KPP. Përveç kësaj, në rastin konkret janë plotësuar edhe kushtet që parashihen në nenin 187 paragrafi 1 nënparagrafi 2 pika 1 të KPP, ngase ekziston frika e bazuar se po që se të njëjtit do të mbroheshin në liri mund tëfshihen, ikin apo ti qasen arratis, sidomos kur kemi parasysh kufijtë e brishtë administrativ dhe faktin se të njëjtit mund të kalojnë lehtë kufirin e të shkojnë në Serbi, e në këtë mënyrë do t’i shmangeshin përgjegjësisë penale e njëkohësisht do të pengonin rrjedhën normale të procedurës penale.
Po ashtu duke e marrë për bazë natyrën e veprës penale, cilësitë personale të të pandehurve (të njëjtit janë simpatizues të partisë politike “IQS” dhe veprën penale dyshohet se e kanë kryer në drejtim të favorizimit të kësaj partie)”. Përveç këtyre, duke e marrë për bazë faktin se më datën 03.11.2013, do të mbahen zgjedhjet në Republikën e Kosovës; se kjo vepër penale dyshohet se është kryer për motive politike, ngase të pandehurit me qëllim të ndikimit në votues e duke keqpërdorë varësinë e tyre ekonomike shkojnë shtëpi për shtëpi për qëllim të votimit të “IQS”-së, ndikojnë-keqpërdorin votuesit se “do tu ndërkrehen ndihmat nëse nuk e votojnë IQS-në”. /2lonline/