(2L ONLINE) – OJQ “Fortesa” ka publikuar raportin vjetor të vlerësimit të punës së institucioneve të Kamenicës. Monitoruesi Amir Jakupi ka theksuar se Kamenica ka shënuar përparim të lehtë në fushën e transparencës dhe llogaridhënies, por ka ngecur në përmbushjen e disa premtimeve zgjedhore dhe zgjidhjen e problemeve kryesore.
“Në fushën e arsimit, problem serioz mbetet mungesa e sigurisë në shkolla, vecanërisht në shkollat e mesme, ka ka patur raste, kur nxënësi është rrahur në klasë, therrje të nxënësve në oborrin e shkollës dhe disa raste të ngjashme. Prania e madhe e qenve endacak, vazhdon t’i shqetësoj banorët të cilët rrezikohen cdo ditë nga kafshimet, e që mund të bartin edhe sëmundje. Komuna ka paraparë një buxhet për këtë vit, po i pamjaftueshëm për zgjidhjen e këtij problemi. Edhe përkundër premtimeve, qeveria komunale ka dështuar me administratën. Nga 222 punonjës sa kishte në fillim të muajit janar, administratës i janë shtuar dhjetëra punëtorë, kryesisht për akomodime partiake e familjare dhe të panevojshëm për punën dhe efikasitetin e administratës”, ka pohuar Jakupi.
Ndër të arriturat e vitit 2014, ai ai ka renditur vënien e hurëthemelit për ndërtimin e shkollës së mesme në Roganë, projekt milionësh, i cili do të krijoj kushte normale për zhvillim efikas dhe kualitativ të procesit mësimor. Pastaj, asfaltimin e disa rrugicave në fshatrat Hodonoc, Koretin, Kopernicë e Stresoc, si dhe sanimin në tërësi të defekteve të ndricimit publik në rrugën kryesore të qytetit dhe atë “Nënë Tereza”.
Jakupi e ka vlerësuar mënyrën e komunikimit dhe afërsinë e kryetarit Begzad Sinani me qytetarët.
“Drejtorët kanë treguar një performancë relativisht të mirë në punën e tyre njëvjecare, ne vecanti drejtori i Administratës Komunale dhe ai i Shërbimeve Publike. Për këshilltarët komunalë nuk mund të jepen vlerësime pozitive. Është vërejtur shkëputje e kontakteve të tyre me votuesit”, ka thënë më tej Amir Jakupi.
Në raport theksohet më tej se, “Fortesa” ka hasur në vështirësi në qasjen në dokumente zyrtare, ku shumë dokumente që do të duhej të ishin të hapura për publikun, kësaj organizate i është pamundësuar qasja në to. “Faturat e pagesave të qerasë së ‘Viva Fresh’ për gjashtë muajt e fundit. Informatë për të punësuarit me kontratë mbi vepër. Procesverbalet nga intervistimi i kandidatëve për pozitat furnizues në drejtorinë e arsimit dhe shofer në QKMF. Shpenzimet e derivateve të zyres së kryetarit të komunës për vitin 2014. Fortesa nuk ka marrë përgjigje në asnjë nga këto kërkesa. Komuna në këtë rast, ka shkelur ligjin për qasje në dokumente zyrtare, duke tejkaluar të gjitha afatet ligjore”.
“Fortesa” në fund të raportit ka vlerësuar shkallën e përmbushjes së premtimeve. Ndërtimin e shkollës së mesme në Roganë, e vlerëson si premtim të realizuar, projekte infrastrukturore për qytetin-pjesërisht të realizuar, Ujësjellësin në Muciverc-të parealizuar, Kujdes institucional për vlerat kulturore-pjesërisht, Asfaltimin e rrugëve në Kopërnicë-të realizuar, funksionalizimin e palestrës sportive-të parealizuar, Zgjidhjen e problemit të qenve endacak-të planifikuar por me buxhet të pamjaftueshëm. /2L ONLINE/